Aktakuzë ndaj tetë personave për ryshfet dhe falsifikim dokumentesh në sektorin privat

Prishtinë | 25 Mar 2026 | 14:32 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj tetë personave të dyshuar për kryerjen e veprave penale të ndryshme, përfshirë “Pranimin e Ryshfetit në Sektorin Privat”, “Keqpërdorimi i Pozitës apo Autoritetit Zyrtar”, “Falsifikimi i Dokumentit Zyrtar” dhe “Rastet e Posaçme të Falsifikimit të Dokumentit”.

Sipas aktakuzës, dy të pandehurit kryesorë, F.G. dhe M.G., kanë qenë të përfshirë në pranimin e ryshfetit në sektorin privat. F.G., në cilësinë e menaxherit të Poligonit “R…”, dyshohet se ka pranuar 600 euro për të siguruar çertifikata për aftësim në përdorimin e armëve të zjarrit për një kandidat, pa iu nënshtruar trajnimit dhe provimit ligjor. M.G. dyshohet se ka ndihmuar në realizimin e këtij përfitimi të kundërligjshëm duke mundësuar pajisjen e kandidatëve me çertifikata jashtë procedurave ligjore.

Tre të pandehurit S.B., R.M. dhe H.N., në cilësinë e instruktoreve në Poligonin “D….” në Prizren, dyshohet se kanë shënuar të dhëna të rreme në dokumente zyrtare dhe kanë nënshkruar çertifikata për kandidatë që nuk kanë ndjekur trajnimin teorik dhe praktik.

Ndërkaq, administratores B.G. i akuzohet se ka plotësuar në mënyrë të kundërligjshme kërkesa për provim profesional për armë dhe ka nënshkruar në dokumente në emër të kandidatëve, pa praninë e tyre.

“Të pandehurit F.G. dhe M.G., ekziston dyshim i bazuar mirë për veprën penale ‘’Pranimi i Ryshfetit në Sektorin Privat’’ nga neni 309 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Ndërkaq, të pandehurit S.B., R.M., dhe H.N., për veprën penale “Falsifikimi i dokumentit” nga neni 390 i KPRK-së, ndërsa të pandehurit B.H., S.B., dhe B.G., për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 i KPRK-së dhe “Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumentit” nga neni 391 KPRK-së.

Sipas aktakuzës, i pandehuri F.G., në cilësinë e menaxherit në Poligonin “R….’’, me dashje dhe dijeni të plotë ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare duke pranuar përfitime të kundërligjshme. Gjatë zbatimit të masave të veçanta hetimore, i pandehuri në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare ai ka pranuar shumën prej 600 euro, me qëllim që një kandidati t’i sigurojë çertifikatë për aftësim në përdorimin e armëve të zjarrit, pa iu nënshtruar trajnimit
dhe provimit teorik dhe praktik.

Ndërsa i pandehuri M.G., me dashje dhe dijeni të plotë në vazhdimësi ka ndihmuar në kryerjen e kësaj vepre penale, duke i mundësuar të pandehurit F.G., përfitimin e kundërligjshëm, përkatësisht pajisjen e kandidatëve me çertifikata për aftësimin në përdorimin e armëve të zjarrit pa ndjekur procedurat ligjore të trajnimit dhe testimit profesional, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Të pandehurit S.B., R.M., H.N., në cilësinë e instruktoreve/ ligjëruesve në Poligonin “D….”, në Prizren, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, kanë shënuar të dhëna të rreme në dokumente zyrtare, duke nënshkruar çertifikata për aftësimin në përdorimin e armëve të zjarrit, për persona që nuk i janë nënshtruar trajnimit teorik dhe praktik dhe me këto veprime, ata kanë vepruar në kundërshtim me nenin 12 të Ligjit Nr.05/L-022 për Armë dhe nenit 7 të udhëzimit Administrativ (MPB) për aftësimin teorik dhe praktik për armë.

Ndërkaq, e pandehura B.G., në cilësinë e administratores në Poligonin “D…..”, në mënyrë të kundërligjshme ka plotësuar “Kërkesën për provim profesional për armë” me të dhënat personale të kandidatit dhe më pas ka nënshkruar në emër të tij në dokumentin përkatës, pa qenë fare i pranishëm kandidati”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme