Gërvalla pret në takim ambasadoren e Kroacisë, flasin për forcimin e bashkëpunimit në drejtësi dhe ekstradim

Prishtinë | 25 Mar 2026 | 21:18 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, zhvilloi një takim me Ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barišić, ku u diskutua thellimi i marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimi në fushën e drejtësisë.

“Kosova dhe Kroacia gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyeshme dypalëshe, me Kroacinë si shtet mik e partner të rëndësishëm të Republikës sonë. Me Ambasadoren e Kroacisë në Republikën e Kosovës, znj. Danijela Barišić, folëm për thellimin e bashkëpunimit në fushën e drejtësisë dhe nevojën për avancimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi”, ka thënë Gërvalla..

Gërvalla theksoi rëndësinë e ekstradimit dhe bashkëpunimit juridik të efektshëm, si dhe nevojën për trajtimin serioz të krimeve të luftës, që mbeten një plagë e hapur për të dy vendet.

Ajo nënvizoi gjithashtu se shteti i fortë dhe sundimi i ligjit kërkojnë institucione të forta dhe reforma të thella në drejtësi.

“Në këtë kuadër, u theksua ndër të tjera rëndësia e forcimit të bashkëpunimit në fushën e ekstradimit, si një komponent i domosdoshëm për një bashkëpunim juridik më efektiv dhe funksional. Krimet mizore të luftës gjithashtu mbeten një çështje e hapur dhe me ndjeshmëri të lartë për të dyja vendet tona, një plagë e hapur e shoqërisë që kërkon përkushtim maksimal e zotim të drejtpërdrejtë dhe qasje serioze, të qartë e konkrete institucionale. Trajtimi i këtyre çështjeve kërkon institucione të forta dhe vendimmarrje të qëndrueshme, që bazohen në sundim të ligjit. Pa reformë të thellë në drejtësi, nuk mund të ketë as sundim ligji të besueshëm dhe as shtet të fortë funksional”, ka thënë Gërvalla.

Të ngjashme