Gërvalla: Dënimi prej 15 vjet burgim ndaj Dejan Raciq, i merituar

Prishtinë | 26 Mar 2026 | 21:03 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka njoftuar për dënimin me 15 vjet burg të Dejan Raciqit për krime lufte, përfshirë dhunën seksuale gjatë luftës në Kosovë, nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Ky rast, sipas saj, është rasti i katërt ku drejtësia vendase ndëshkon autorët e këtyre krimeve, duke treguar se heshtja dhe mosndëshkueshmëria po i afrohen fundit.

“Rruga mbetet e gjatë, por në fund, drejtësia dhe e vërteta gjithmonë fitojnë. Falënderim i veçantë edhe QKRMT-së për mbështetjen e palëkundur ndaj të mbijetuarve gjatë gjithë procesit gjyqësor. Duke falënderuar këtë organizatë, falënderojmë edhe të gjitha organizatat dhe aktivistët që çdo ditë angazhohen për të mbijetuarat dhe të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë,” tha Gërvalla.

Ajo vlerësoi qëndrimin dinjitoz dhe guximin e të mbijetuarve gjatë procesit gjyqësor:

“Është për t’u admiruar qëndrimi dinjitoz i heroinave tona, të mbijetuarave, të cilat përsëri po dëshmojnë integritet dhe guxim të pashoq, duke u ballafaquar, tashmë në sallë të gjyqit, me ata që kryen krime të papërshkrueshme ndaj tyre. Këto gra dhe këta burra meritojnë respektin dhe mbështetjen edhe më të fortë e më të gjerë të institucioneve dhe të shoqërisë sonë”, shtoi ajo.

Të ngjashme