Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, mori pjesë në diskutimin e organizuar në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, me rastin e promovimit të librit “Hallka më e fortë: Një histori gojore e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”, nga autorja Anna Di Lellio, në bashkëpunim me Garentina Kraja.
Me këtë rast, Ministrja Gërvalla cilësoi gruan shqiptare si një hallkë të fortë që mban shoqërinë mbi supe, e palëkundur përballë dhunës, terrorit dhe padrejtësisë, përballë përdhunimit si armë lufte dhe strategjive politike e të qëllimshme të Serbisë që synonin të shkatërronin çdo gjurmë të njerëzimit në Kosovë.
“Ajo qëndroi, e fortë dhe e guximshme, duke kthyer dhunën në rezistencë dhe tmerrin në histori që nuk mund të fshihet, as të falet e harrohet. Forca e saj është më e madhe se çdo frikë, më e madhe se çdo heshtje, dhe më e madhe se çdo përpjekje për ta margjinalizuar. Ajo është heroinë e gjallë”, u shpreh ajo.
Siç edhe u nënvizua gjatë diskutimit, rëndësia e librit “Hallka më e fortë”, shkon përtej Kosovës sepse kontribuon edhe në përpjekjet globale për të kuptuar dhe dokumentuar dhunën seksuale në konflikt, si dhe për ta trajtuar atë jo vetëm si një strategji individuale por një krim që kërkon përgjegjësi institucionale dhe ligjore.
“Duke falënderuar znj. Di Lellio dhe znj. Kraja për këtë dokumentim të guximshëm, mbetem me besimin se përkushtimi ynë në drejtësi për të mbijetuarat dhe të mbijetuarit e dhunës seksuale do të detyrojë kriminelët serbë të përballen me përgjegjësinë e tyre”, deklaroi Ministrja Gërvalla.
Ajo ritheksoi se guximi i grave shqiptare është hallka më e fortë që sfidon heshtjen dhe frymëzon drejtësi, duke shtuar se drejtësia, në fund, gjithmonë triumfon.
“Hallka më e fortë”, libri më i ri i autores Anna Di Lellio dhe bashkëautores Garentina Kraja, dokumenton historinë gojore të 20 grave nga 20.000 që i mbijetuan përdhunimin si armë lufte gjatë luftës në Kosovë dhe i jep zë guximit dhe rezistencës së tyre të jashtëzakonshme.