Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e sotme ka miratuar vendimin për të dërguar në Kuvend, projektligjin për dërgimin e trupave të FSK-së në Gaza, raporton Ekonomia Online
Kryeministri i vendit, Albin Kurti tha se Kosova është e gatshme të ndihmojë popullin e Gazës.
“Ne jemi të gatshëm të marrim pjesë në forcën stabilizuese, dhe të ndihmojmë popullin e Gazës”, tha kryeministri Albin Kurti.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se ky vendim është ndërmarrë në kuadër të bashkëpunimit me aleatët ndërkombëtarë dhe në përputhje me obligimet ligjore dhe ndërkombëtare të Kosovës.
“Ministria e Mbrojtjes mbi bazën e objektivave të planifikimeve strategjike për bashkëpunim me shtetet aleate, ftesës së pranuar nga Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që i referohet rezolutës 2803 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, vullnetit politik të shprehur në favor të paqes, si dhe ligjit për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, ka iniciuar procedurat për të kërkuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës marrjen e vendimit për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, përkatësisht si pjesë e forcës ndërkombëtare stabilizuese në Gaza. Dërgimi i FSK-së në këtë mision përfshin pjesëmarrjen e personelit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në kuadër të komandës së unifikuar të forcës ndërkombëtare të stabilizimit, e cila ka për mision të mbështesë zbatimin e planit gjithëpërfshirës për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza”, tha ai.
“Gjithnjë duke u bazuar në mandatin e forcës ndërkombëtare të stabilizimit, ku të gjitha operacionet e forcës ndërkombëtare stabilizuese do të kryhen në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, të drejtën ndërkombëtare detyruese të zbatueshme, përfshirë të drejtën ndërkombëtare humanitare, rregullat e angazhimit të forcës ndërkombëtare stabilizuese, marrëveshjet e zbatueshme për mbrojtjen e statusit dhe instrumente të tjera detyruese të zbatueshme. Ky angazhim është në përputhje me rezolutën 2803 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila ka krijuar kornizën ndërkombëtare për stabilizimin e situatës në Gaza dhe mbështetjen e një force të përkohshme ndërkombëtare me fokus në siguri, stabilitet, mbrojtje të civilëve dhe mbështetje të përpjekjeve humanitare”, tha ai.
