Kryeministri Albin Kurti ka folur rreth dialogut Kosovë-Serbi, në një konferencë për emdia pas mbledhjes së Qeverisë, raporton Ekonomia Online.
Ai, tha se dialogu ka avancuar shumë, duke shtuar se në Bruksel nuk kanë pasur vetëm dialog, por edhe marrëveshje.
Por, megjithatë Kurti, shtoi se problemet kanë lindur në vitin 2023, pikërisht kur u tha që marrëveshja po pranohet, por u refuzua nënshkrimi i saj.
“Kuptojnë shumë mirë dinamikat në Ballkan, të cilat në njërën anë kanë të bëjnë me aktualitetin politik, por në anën tjetër natyrisht që kanë edhe elementet që janë si pasojë e zhvillimeve historike në rajonin tonë. Prezenca franceze e kupton, pra, që siguria në Ballkan nuk është e rëndësishme vetëm për integrimin e Ballkanit në Bashkimin Evropian, por edhe për vetë sigurinë në Evropë. Edhe prandaj është interesuar shumë për KFOR-in, për NATO-n, për paqen edhe sigurinë në Kosovë dhe në anën tjetër gjithashtu edhe për dialogun e zhvilluar në Bruksel, për çfarë ne tashmë e dimë që dialogu ka avancuar shumë, meqenëse ka rezultuar në marrëveshje. Ne në Bruksel nuk kemi pasur veç dialog, kemi pasur edhe marrëveshje. Është një gjë tjetër që presidenti i Serbisë e ka pranuar marrëveshjen, por ka refuzuar ta nënshkruajë”, tha ai.
“Pra, është një lloj dyfytyrësie kur thua që e pranoj marrëveshjen, por nuk e nënshkruaj. Dhe unë besoj që problemet na lindën në pranverën e vitit 2023, para tri vjetëve, pikërisht atëherë kur u tha që po pranohet marrëveshja, po refuzohej nënshkrimi i saj. Sa kam unë informacion, deri në këto momente nuk ka probleme sa i përket zbatimit të ligjit për të huajt. Ne kemi krijuar një dritare 12 muajshe për ata të cilët nuk do të duhej ta humbin të drejtën e punës e banimit për shkak të mungesës së dokumenteve, por këtë e kemi shoqëruar me një dritare tjetër tremuajshe ku do të mund të pajisen me dokumente legale. Pra, ne nuk jemi kundër serbëve, Serbia është kundër nesh, edhe serbët në Kosovë që janë diku rreth katër për qind, ne i trajtojmë qytetarë të Republikës. Nuk harrojmë që ka edhe minoritete tjera, nuk ka veç minoritet serb”, shtoi kryeministri Kurti.