Merz: Gjermania do ndërhyjë në Hormuz vetëm pas përfundimit të konfliktit

Prishtinë | 30 Mar 2026 | 20:19 | Nga Ekonomia Online

Kancelari gjerman Friedrich Merz paralajmëroi për rrezikun e përshkallëzimit të luftës drejt Iranit dhe ritheksoi se Gjermania do të kontribuojë në sigurinë e Ngushticës së Hormuzit vetëm pas përfundimit të konfliktit.

“Përshkallëzimi i luftës në një konflikt të gjerë rajonal do të ushtronte presion mbi Gjermaninë dhe Evropën, të ngjashëm me atë të luftës në Ukrainë apo të pandemisë së koronavirusit”, deklaroi Merz gjatë një konference për shtyp pas takimit me presidentin e Sirisë, Ahmed al-Sharaa.

Ai u ndal veçanërisht te rritja e shpejtë e çmimeve të karburanteve, si dhe te nevoja për masa shtesë sigurie në sinagogat dhe komunitetet hebraike.

Gjermania do të kontribuojë në sigurinë e Ngushticës së Hormuzit vetëm pas përfundimit të luftës në Iran, theksoi sërish kancelari, duke shtuar se zgjidhja më e mirë është përfundimi sa më i shpejtë i konfliktit të armatosur.

“Nëse plotësohen kushtet e nevojshme, Gjermania do të jetë natyrisht e gatshme të kontribuojë në garantimin e lirisë së lundrimit në rajon”, u shpreh ai, duke propozuar që iniciativa të merret nga një grup ndërkombëtar kontakti, i cili do të koordinojë vendet e gatshme për të ndihmuar.

I pyetur më tej, Merz përjashtoi edhe një herë mundësinë e pjesëmarrjes së forcave të armatosura gjermane në një operacion ushtarak.

Të ngjashme