Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara nuk do ta lejojnë Iranin të marrë “kontroll të përhershëm” të Ngushticës së Hormuzit apo të vendosë një sistem taksimi, siç ka kërcënuar Teherani.
“Kjo nuk do të lejohet në asnjë rrethanë”, deklaroi Rubio, duke shtuar se Presidenti Donald Trump ka në dispozicion disa opsione për të parandaluar një skenar të tillë, nëse vendos t’i përdorë ato.
Në një intervistë për ABC News, Rubio theksoi se nuk do të zbulojë detaje mbi këto opsione apo taktikat ushtarake.
“Këto janë çështje që trajtohen nga Departamenti i Mbrojtjes”, u shpreh ai, duke shtuar se ekziston një plan i zbatueshëm për arritjen e objektivave amerikane.
Sipas tij, këto objektiva mund të arrihen “brenda pak javësh, jo muajsh”.
Rubio kujtoi se qëllimet e operacionit ushtarak amerikan kundër Iranit përfshijnë dobësimin e kapaciteteve ushtarake të vendit, përfshirë shkatërrimin e një pjese të konsiderueshme të marinës dhe neutralizimin e sistemeve të raketave.
“Ne synojmë të godasim bazën e tyre industriale të mbrojtjes, pra aftësinë për të prodhuar raketa dhe dronë në të ardhmen, pasi kjo përbën një kërcënim të madh për rajonin”, tha ai.
“Irani që shihni sot është në pikën e tij më të dobët”, shtoi Rubio.
Ai paralajmëroi se, pa ndërhyrje, vendi mund të rikthejë shpejt kapacitetet e tij ushtarake.
“Imagjinoni pas dy vitesh, me mijëra raketa dhe lëshues të rinj, si dhe fabrika për prodhim të mëtejshëm. Ky është një rrezik i papranueshëm që duhet adresuar”, përfundoi Rubio./TCH