Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Hykmete Bajrami në mbledhjen e Komisionit e ka konsideruar si të nevojshme që kryenegociatori i Kosovës për integrim në Bashkim Evropian, Jeton Zulfaj të raportojë në Komision gjatë këtij muaji, raporton Ekonomia Online.
Këtë kërkesë kryetarja Bajrami e bëri gjatë diskutimit për shqyrtimin e planit të punës së komisionit për sesionin pranveror.
“Ne prej kryenegociatorit të na jepte faktikisht agjendën e reformave të planit të rritjes dhe zbatimit të të gjitha kushteve ku e kemi një progres dhe të shohim se cila prej ministrive ka bërë progres ose ka një pengesë dhe pastaj neve vendosim se a dëshirojmë ato të cilat kanë ngecje në realizimin e programit të reformave apo t’i vizitojmë ato të cilat kanë sukses dhe mendoj që kjo mbetet të shihet dhe mendoj që të paktën njëherë në muaj të kemi një raportim të një ministri, pro unë besoj se emrat edhe ministritë është mirë që t’i caktojmë ku ne analizojmë vet planin e reformave dhe e dimë se cilat ministri janë më relevante, ka deklaruar Bajrami.
Bajrami tha se duhet të ftohen edhe ambasadoret e akredituar në Prishtinë për të marrë qëndrimin e tyre për rrugën e Kosovës drejt unionit evropian.
Por, se tha se thirrja e tyre duhet të ndodhë në muajin tjetër, vetëm atëherë kur të shihet se si do të përmbyllet çështja e presidentit.
“Unë mendoj që të gjitha propozimet janë të pranueshme. Në fakt sa i përket konferencës me të gjithë ambasadorët unë besoj se në muajin prill ishim marrë pak me institucionet tona, me punën tonë. Kam frikë se secila tryezë me akterë të jashtëm do të përfundon me çështjen e stabilitetit institucional. Po besoj se si Kuvend i Republikës së Kosovës fillimisht duhet të kuptojmë se sa ka me qenë jetëgjatësia e kësaj legjislature dhe mandej të fillojmë me plane të tilla… Po konsideroj se kur t’i ftojmë nuk duhet të paraqesim vetëm disa teza apo pyetje se si ata e shohin integrimin Evropian të Kosovës, por duhet të raportojmë ne fillimisht, të raportojnë institucionet e Republikës së Kosovës, ne në fakt të kemi informata se çka është bërë në 15 muajt e kaluar dhe mungesë të informacionit të cilin ne të gjithë si anëtarë e kemi sepse Kuvendi nuk ka qenë funksional…Ndoshta gjatë këtij muaji e kishim majt një takim me ushtruesen e detyrës së ambasadorit të BE-së dhe mandej kishim filluar me përgatiten e konferencës për të gjitha ambasadorët….A mund të pajtohemi që konferenca me ambasadorë të jetë në muajin maj, me shoqërinë civile në muajin qershor dhe se datat munden me lëvizin”, ka thënë ajo.
Kërkesë të njëjtë parashtroi edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj.
“Ajo që është me rëndësi është kryenegociatori duhet me qenë transparent edhe para Komisionit të vjen të raportojë ndoshta edhe para fillimit të negociatave që të bëhet e ditur cila është agjenda e debatimit që do të bëhet në një takim që do të mbahet ose bilateral ose trilateral që organizohet ën Bruksel dhe të mos kemi hamendësime se çfarë po debatohet dhe çfarë nuk po debatohet. Po ashtu duke përfshirë edhe çdo kryenegociator duke përfshirë edhe kryeministrin e kanë obligim pas çdo raundi të negociatave me ardhë me raportu në Kuvendin e Kosovës sepse nuk është në rregull ne si deputetë edhe si pjesë të komisioneve të dëgjojmë prej mediave çka është debatu dhe çka nuk është debatua, pra gjithë ky proces duhet me qenë transparent dhe pavarësisht pozitë e opozitë duhet ta kuptojmë që ky proces të jetë transparent”, ka thënë ajo.
Kurse, anëtarja e komisionit nga radhët e LVV-së, Liza Gashi, theksoi nevojën e organizimit edhe të një tryeze të përbashkët me të gjithë ambasadorët e huaj të BE-së.
Në fund të mbledhjes u miratua edhe plani i punës për sesionin pranveror.