Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, i ka dërguar një letër zyrtare Presidentes së vendit, Vjosa Osmani, duke kërkuar që të procedohet pa vonesë me emërimin e anëtarit të dytë të PDK-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Në këtë letër, Kryetari Hamza thekson se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në rastin KO81/26 ka sqaruar përfundimisht çdo paqartësi lidhur me këtë çështje, duke konfirmuar se përfaqësimi i PDK-së me dy anëtarë në KQZ është një e drejtë kushtetuese dhe jo çështje interpretimi politik.
Sipas tij, mosveprimi në këtë fazë do të përbënte shkelje të rendit kushtetues dhe do të krijonte precedent të rrezikshëm për funksionimin demokratik të institucioneve në vend.
Në letër, kreu i PDK-së argumenton se bazuar në Kushtetutë dhe në përbërjen aktuale të Kuvendit, ndarja e vendeve në KQZ duhet të garantojë nga një anëtar për secilin grup parlamentar në raundin e parë, ndërsa dy vendet e mbetura në raundin e dytë u takojnë dy grupeve më të mëdha parlamentare, në këtë rast LVV-së dhe PDK-së.
Hamza paralajmëron se çdo interpretim tjetër, që do t’i jepte një partie tre anëtarë në KQZ, do të ishte në kundërshtim me frymën e Kushtetutës dhe me parimin e balancës institucionale.
Ai i bën thirrje Presidentes Osmani që të veprojë në përputhje me Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke garantuar respektimin e të drejtave të subjekteve politike dhe integritetin e KQZ-së.
