Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci ka folur rreth mediave dhe për siç tha sot në seancë të Kuvendit kryeministri Kurti, “raportimet për financime me thasë parash”, raporton Ekonomia Online.
Nagavci kërkoi që organet kompetente të angazhohen seriozisht për çështjen e financimit të mediave dhe se mediat duhet ta kryejnë detyrën me ndershmëri dhe përgjegjësi.
“Besoj që edhe ashtu sikurse ju e përmendet, edhe organet kompetente do të angazhohen me shumë seriozitet për këtë çështje, unë nuk kam një emër të përveçëm por ju bëj thirrje edhe ju lus të gjithë ju që ndiheni rehat dhe komod me punën e ndershme, me përgjegjësi, transparente që bëni për qytetarët, të vazhdoni të bëni raportimin korrekt, ndërkaq ata të cilët ndjehen të intimiduar për arsye të ndryshme, uroj që të mos kenë arsye për ta bërë një gjë të tillë. Besoj shumë edhe apeloj te organet kompetente që të zhvillojnë gjithë hetimet, sepse deklaratat që bëri edhe kryeminstri por edhe ato që janë thënë edhe nga personat e tjerë janë të bazuara në raportime dhe besoj në faktet që janë duke u trajtuar tashmë”, tha Nagavci.
Nagavci shprehet se Vetëvendosja nuk i frikësohet të vërtetës dhe mediave, dhe se nuk ka qëllim të ketë ndikim në to.
“Vetëvendosja natyrisht se nuk ka frikë nga e vërteta as nga mediat. Kërkesat edhe thirrjet tona janë që secili prej nesh, përfshi neve që ne jemi deputetë dhe persona me përgjegjësi publike, ashtu edhe gazetari dhe mediat të cilat kanë mandat që të veprojnë edhe në interes të së mirës së përgjithshme dhe informim të qytetarëve, ta kryejmë detyrën tonë në bazë të përgjegjësive që i kemi. Dhe unë përkundër që kemi parë në të kaluarën, në një kohë jo shumë të largët, ndikimet të mediat ky asnjëherë nuk ka qenë dhe as nuk do të jetë qëllimi i Vetëvendosjes”, ka thënë Nagavci.
