Buxheti nuk është i mjaftueshëm për komunën e Vushtrrisë në bazë të kërkesava që janë vazhdimisht në rritje.
Në një intervistë për Ekonomia Online, kryetari i kësaj komune, Ferit Idrizi pohon se është bërë një planifikim buxhetor që realizimin e projekteve.
“Po buxheti asnjëherë nuk është i mjaftueshëm sepse kërkesat çdoherë janë në rritje. Po megjithatë ne kemi bërë një planifikim buxhetor solid që mendojmë që do t’i realizojmë objektivat edhe projektet që i kemi planifikuar për këtë vit”, tha Idrizi.
Me këtë buxhet i pari i Vushtrrisë pohoi se kanë mbetur shumë projekte jashta listës duke qenë së komunës i janë marrë tre milionë euro për kontrata kolektive të mësimdhënësve.
“Po, na kanë mbetur bukur shumë projekte jashtë listës për arsye të kontratës kolektive që kemi biseduar edhe herave të tjera nëpër intervista. Po vlen të theksohet edhe njëherë se vetëm vitin e kaluar na kanë marrë neve tre milionë euro për kontratën kolektive të mësimdhënësve edhe tash prapë kanë ardhur domethënë pagesat nga përmbaruesit që duhet me u pagu. Edhe ato na dëmtojnë shumë sepse ato nuk janë të planifikume, nuk kanë vijë buxhetore të veçantë që është dashur qeveria me i pagu edhe na kanë mbetur neve. Edhe tash përmbaruesi i merr në kode buxhetore ku i gjen domethënë investimet kapitale, kështu që ditët në vijim do ta dimë saktësisht se ku do të preken projektet edhe ku do të mbesim keq”, tha Idrizi.
Si zgjidhje për këtë problem sipas Idrizit, do të ishte themelimi i Grantit të katërt, që ndarja buxhetore të bëhej në mënyrë proporcionale në bazë të banorëve.
“Buxhetin, zgjidhja më e mirë kishte me qenë që u kërkua edhe nga Asociacioni i Komunave Granti i katërt. Granti i katërt me iu ndarë komunave, kishte me qenë një ndarje proporcionale në bazë të numrit të banorëve edhe më s’kishim pasur probleme asnjëherë. Pra, mos me pasë nevojë ministritë e linjës mandej me ndërhyrë me iu dhënë komunave në mënyra të ndryshme e me arsyetime të ndryshme, po ndahet granti i katërt edhe kryhet punë”, tha kreu i komunës së Vushtrrisë.
Të njëjtën zgjidhje e sheh edhe Asociacioni i Komunave të Kosovës, ku kërkohet vazhdimisht themelimi i Grantit të Katërt.
