Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar i ka ndaluar Kanye West hyrjen në Festivalin Wireless të Londrës pas polemikave rreth performancës së tij të planifikuar.
Ministria e Brendshme konfirmoi se reperit, i njohur edhe si Ye, iu refuzua dje kërkesa për udhëtim, duke përmendur se prania e tij nuk do të ishte në interes të publikut, transmeton Indeksonline.
Ky vendim pasoi një sërë deklaratash antisemite, raciste dhe pro-naziste nga West vitet e fundit, shkruan BBC.
Përpara vendimit për ndalim, West tha më herët sot se “do ta vlerësonte” mundësinë për t’u takuar me anëtarët e komunitetit hebraik në Mbretërinë e Bashkuar. Në një deklaratë, ai deklaroi se kishte “ndjekur diskutimin rreth Wireless” dhe ofroi të takohej personalisht me përfaqësuesit e komunitetit “për t’i dëgjuar ata”.
“E di që fjalët nuk janë të mjaftueshme”, tha West, i cili ka një histori shpërthimesh antisemite. “Do të duhet të tregoj me veprimet e mia se kam ndryshuar. Nëse jeni të hapur për këtë, unë jam këtu.”
Komiteti i Përfaqësuesve Britanikë Hebrenj u përgjigj se ishin “të gatshëm” të takoheshin me reperin, por me kusht që ai të anulonte paraqitjen e tij të planifikuar në Wireless.