Osmani: Kam marrë vlerësime pozitive nga Kurti, qëndrimet e fundit të tij më befasuan

Prishtinë | 07 Pri 2026 | 21:36 | Nga Ekonomia Online

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se nga kryeministri Albin Kurti ka marrë vlerësime pozitive për përfaqësimin e vendit në arenën ndërkombëtare, por ka shtuar se qëndrimet e tij të fundit kanë qenë befasuese për të.

Në një intervistë për T7, Osmani theksoi se Kushtetuta e obligon presidentin ta përfaqësojë vendin jashtë dhe të udhëheqë politikën e jashtme, duke nënvizuar se kjo është një përgjegjësi që nuk mund të anashkalohet.

“Në fakt, unë kam marrë vetëm vlerësime jashtëzakonisht të larta për përfaqësimin jashtë vendit nga zoti Kurti, për çka për mua ka qenë befasuese qëndrimi i tij i fundit që, siç e kam thënë edhe në një intervistë më herët, që e do një president që nuk merret me politikë të jashtme. Për shkak se ne, secili prej nesh mund të kemi vlerësime çfarë të dojmë rreth asaj se si duhet të jetë presidenti, por ajo çfarë ne nuk mund të anashkalojmë është ajo çfarë kërkon Kushtetuta. Kushtetuta kërkon që Presidenti ta përfaqësojë vendin jashtë dhe Kushtetuta kërkon që Presidenti ta udhëheqë politikën e jashtme, jo të jetë spektator“, tha ajo.

Osmani thotë se nëse pritshmëritë kanë qenë se ajo të „mbyllet prapa derës, e ka pasur gabim“.

“Ne mund të kemi pasur mes vete dallime rreth asaj se si dikush e ka përfaqësuar, por nuk ka pikëpyetje rreth asaj se a e ka përfaqësuar apo jo. Presidenti e ka këtë detyrë kushtetuese të cilës nuk do të duhej asnjë president t’i ikë e ta anashkalojë, sepse kjo do të binte ndesh me atë çfarë kërkon Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Tani, vlerësimet që mund t’i kenë politikanët individualë se si duhet të jetë presidenca, ajo është më shumë dëshirë—ëishful thinking siç thonë miqtë tanë amerikanë—por dëshira është tjetër gjë, Kushtetuta dhe realiteti janë gjëra të tjera. Dhe kushdo që ka menduar se unë jam lloji i politikanes që vetëm mbyllet prapa derës dhe kurrë më askush nuk e sheh gjatë mandatit, e ka pasur shumë gabim. Unë s’kam qenë kurrë ashtu“, thotë ajo.

Të ngjashme