Bytyqi: Duhet të gjejmë formën për të ulur çmimet e barnave esenciale

Prishtinë | 08 Pri 2026 | 07:59 | Nga Ekonomia Online

Çmimet e barnave esenciale në Kosovë vazhdojnë të jenë të larta.

Madje, në shumë institucione shëndetësore ka mungesë të tyre, çka po i detyron pacientët që të njëjtat t’i blejnë jashtë këtyre institucioneve.

Kështu, ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi.

Ajo ka njoftuar se në takimet e radhës në Komisionin për shëndetësi do ta diskutojnë këtë dukuri.

“Së pari mendoj që ka mungesë të barnave në institucionet publike, sepse unë kam qenë edhe në vizita të ndryshme në institucionet shëndetësore, dhe e kam parë që ka mungesë me të vërtetë të jashtëzakonshme dhe detyrohen pacientët të dalin të blejnë dhe të blejnë më çmime të jashtëzakonshme të larta, përderisa unë jam në komisionin për shëndetësi do ta diskutojmë në takimet e radhës dhe do ta gjejmë një formë për t’i adresuar këto çështje”, tha Bytyqi.

Bytyqi, deklaron se duhet të gjendet një formë që çmimet e barnave esenciale të ulen.

“Patjetër që i kemi parë që çmimet janë duke u rritë e jo duke u ulë, edhe çmimet gjithashtu te barnave janë në rritje, thashë që do ta diskutojmë dhe patjetër që duhet ta gjejmë një formë që çmimet e barnave esenciale të zvogëlohen, sepse i kemi pacientët që nuk kanë mundësi të i blejnë”, tha Bytyqi.

Të ngjashme