Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka nisur vizitën e tij zyrtare në Londër me një sërë takimesh dhe aktivitetesh të nivelit të lartë, duke theksuar thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe forcimin e pozitës së Kosovës në arenën globale.
Gjatë ditës së parë, Kurti u takua me Sekretaren për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, ku shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme britanike.
“Shpreha mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës,” citohet të ketë thënë ai, duke shtuar se marrëdhëniet mes dy vendeve janë “të ndërtuara mbi vlera të përbashkëta demokratike dhe përkushtim për sigurinë dhe prosperitetin”.
Ai e cilësoi Mbretërinë e Bashkuar si “partner kyç strategjik”.
Në vijim të takimeve, Kryeministri u takua me Presidenten e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Odile Renaud-Basso, të cilën e falënderoi për mbështetjen financiare ndaj Kosovës.
“Diskutuam vazhdimin e mbështetjes për sektorin privat në rritje dhe për projektet e infrastrukturës publike, si energjia, uji dhe transporti publik,” theksoi ai.
Vizita përfshiu edhe pjesëmarrjen në një panel të organizuar nga ODI Global, ku Kurti diskutoi mbi shtetndërtimin ekonomik dhe stabilitetin global së bashku me drejtuesen Sara Pantuliano dhe analistin ekonomik Martin Wolf.
Në mbrëmje, ai mori pjesë në një darkë të organizuar nga Ministri i Shtetit për Mbrojtje, Lord Coaker, në Naval and Military Club, ku u diskutuan çështje të mbrojtjes dhe sigurisë.
Gjatë ditës së dytë, Kurti ishte pjesë e panelit hapës në London Defence Conference, ku theksoi rëndësinë e gatishmërisë në kohë krizash globale. Në këtë panel morën pjesë edhe Karen Pierce, Pat Harrigan, Onno Eichelsheim dhe Julian Lindley-French.
Pas panelit, Kryeministri zhvilloi një intervistë me Iain Martin, ku foli për rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian dhe sfidat e sigurisë.
“Biseda u përqendrua për rrugëtimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian dhe kërcënimet që vijnë nga Serbia dhe Rusia,” thuhet në deklaratë.
Vizita u përmbyll me një darkë me historianin e njohur Noel Malcolm nga Universiteti i Oksfordit, i cilësuar si një nga zërat më të rëndësishëm ndërkombëtarë për historinë e Kosovës.