KDI: Konfiskimi civil i pasurisë së pajustifikueshme forcon luftën kundër korrupsionit, Kuvendi të sigurojë ligj të zbatueshëm dhe kushtetues

Prishtinë | 17 Pri 2026 | 16:12 | Nga Ekonomia Online


Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka vlerësuar miratimin në parim të Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm në forcimin e mekanizmave kundër korrupsionit në vend.

Në komunikatën e KDI-së theksohet rëndësia e këtij zhvillimi në kontekstin e kufizimeve të deritanishme në konfiskimin e pasurisë së paligjshme.

“KDI vlerëson miratimin në parim të Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të mekanizmave për luftimin e korrupsionit në vend.”

Sipas institutit, krijimi i një mekanizmi civil për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme paraqet një ndryshim të rëndësishëm në qasjen institucionale ndaj korrupsionit.

“Në një kontekst ku, ndër vite, konfiskimi penal i pasurisë së paligjshme ka qenë tejet i kufizuar dhe joefektiv në Kosovë, krijimi i një mekanizmi funksional ku pasuria e pajustifikueshme mund të konfiskohet edhe përmes procedurës civile, përbën një zhvillim të rëndësishëm.”

KDI thekson se suksesi i këtij projektligji varet nga përmbajtja përfundimtare dhe harmonizimi i tij me standardet kushtetuese dhe rekomandimet ndërkombëtare.

“Megjithatë, rëndësia e këtij projektligji lidhet drejtpërdrejt me përmbajtjen që do të marrë gjatë shqyrtimit në Kuvend.”

Po ashtu, KDI ka bërë thirrje që Kuvendi të trajtojë me kujdes procesin legjislativ, duke përfshirë ekspertizën profesionale dhe debatet gjithëpërfshirëse.

“Kuvendi ka përgjegjësinë kyçe që shqyrtimi i mëtejmë i projektligjit të trajtohet përmes si një procesi të mirëfilltë ligjvënës, për t’i dhënë kohën dhe hapësirën e nevojshme shqyrtimit përmbajtësor të tij.”

Instituti ka shprehur gatishmërinë për të kontribuar në këtë proces dhe u ka bërë thirrje partive politike që të përfshijnë edhe qytetarët dhe palët e prekura në diskutime.

“KDI mbetet e gatshme të kontribuojë në këtë proces përmes ofrimit të ekspertizës dhe mbështetjes për organizimin e diskutimeve gjithëpërfshirëse.”

Të ngjashme