Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK), Jusuf Azemi, ka folur për sfidat me të cilat përballen punëtorët në sektorin privat, duke theksuar se kushtet e rënda të punës dhe mungesa e sigurisë po ndikojnë drejtpërdrejt në largimin e të rinjve nga vendi.
Ai në një intervistë për Ekonomia Online përmend dy faktorë që sipas tij po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë qëndrimin e punëtorëve në Kosovë, e që janë pagat e ulëta dhe vonesat në paga.
“Diku para një 5-6 muajsh kam pas kërkuar edhe vetë që, ndoshta shpeshherë ndoshta kam qenë pishman në atë aspekt kur iu kam thënë të rinjve: ‘ikni sepse nuk ka qëndrim këtu’. Po del që është shumë e vërtetë ajo. Fakti i një numri kaq të madh të punësuarve që humbin jetën në vendin e tyre të punës, fakti që ne pagat i kemi jashtëzakonisht të vogla, fakti që sot është data, nëse nuk gabohem 17-18, dhe ka shumë punëtorë që nuk i kanë marrë pagat e tyre për muajin mars, janë të gjitha këto elemente të cilat punëtorët, sidomos të rinjtë, do të ikin. Sepse ne nuk iu kemi krijuar kushte këtu që të qëndrojnë ose së paku të kenë perspektivën minimale për jetën e tyre në Kosovë”, tha Azemi.
Sipas tij, një ndër problemet kryesore mbetet moszbatimi i ligjeve që mbrojnë të drejtat dhe sigurinë e punëtorëve.
“Për të mos marrë këto, për të mos ndodhur këto raste, fatbardhësisht po themi këto raste më së shumti i qesim në pah ne si sindikatë dhe ju si media, përndryshe të tjerët nuk merren. Është Ligji mbi Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, është Ligji i Punës dhe të gjitha ligjet e tjera, domethënë, kjo nuk po respektohet, nuk po implementohet. Edhe unë kam thënë, inshallah janë këta punëtorë në mëshirën e Zotit, përndryshe pronarët e kompanive dhe shteti për së pari nuk po jep se çka po ndodh me ta. Sot varroset ky punëtor, nesër nuk i bie në mend askujt për të thënë: ‘ej, ky punëtor që ka vdekur aty a ka ndonjë familje, a ka ndonjë fëmijë, a duhet t’i përkujdeset dikush’. Po qëllimi i tyre ka qenë, inkasojmë mjete prej tyre dhe përfundimisht mos të merremi me ta. Paramendojeni po them tani një digresion, kur ne po punojmë, ne po vdesim në vendin tonë të punës, dhe ne nuk kemi stimulim absolutisht”, theksoi Azemi.
Ai shtoi se dallimet mes sektorit publik dhe atij privat janë të theksuara, duke e vënë në pah mungesën e sigurisë dhe mbrojtjes për punëtorët e sektorit privat.
“Derisa punëtorët e sektorit publik gjithherë e kemi thënë, mjetet që po u ndahen, ata janë më të parrezikuar në vendin e tyre të punës, ata janë më komod, ata punojnë më pak, ata stimulohen, dhe ne si punëtorë të sektorit privat të Kosovës në një farë forme jemi të destimuluar dhe në një farë forme jemi të shantazhuar nga organet tona dhe nga pronarët e kompanive”, tha tutje ai.
Në fund, ai paralajmëroi se vendi tashmë po përballet me mungesë serioze të fuqisë punëtore, veçanërisht të punëtorëve të kualifikuar.
“Kosova në krizë të mungesës së punëtorëve, vetëm ata që nuk e shohin. Sepse është një krizë jashtëzakonisht shumë e madhe, sepse edhe numri i rasteve të vdekjeve që po vijnë, po vijnë për shkak të asaj se punëtorët pa pasur ndonjë kualifikim për punë të caktuar, pronarët e kompanive po obligohen që t’i shtijnë në tregun e punës punëtorët që nuk janë fare të kualifikuar për atë punë, dhe kjo është një pjesë e procesit për të cilën po ndodh e gjithë kjo. Është mungesë e punëtorëve, sidomos punëtorë të kualifikuar nuk ka sepse i kemi humbur me pagat që i kemi ne, duke u nisur po them nga mediat edhe tutje”,shtoi Azemi.
Për vitin 2025 rreth 72 për qind e të rinjve në Kosovë e shohin veten, në nivele të ndryshme, me një të ardhme jashtë vendit.
Të pyetur se sa e fuqishme është dëshira e tyre për t’u larguar nga Kosova, vetëm 28 për qind thanë se nuk synojnë të emigrojnë.
Sipas statistikave të mbledhura nga platforma Coverge2EU, e cila ndjek gjendjen në vendet e Ballkanit Perëndimor që synojnë integrimin në Bashkimin Evropian, Kosova vazhdon të mbetet prapa shumicës së vendeve të rajonit në shumë fusha.
