Kurti tha se zgjedhjet s’janë opsion, reagon Gruda i PDK-së

Prishtinë | 20 Pri 2026 | 10:51 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministri Albin Kurti, i cili sot në mbledhje të Qeverisë tha se zgjedhjet nuk janë opsion.

Përmes, një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Gruda ka shkruar se sikur Kurti mos të donte zgjedhje nuk do ta shpërdoronte as mundësinë e dytë që ia dha Gjykata Kushtetuese, 34 ditë shtesë.

Sipas tij, tani, kur ka mbetur vetëm një javë, deklaratat politike nuk kanë më peshë, sepse veprimet destruktive të tij në të dy raundet për zgjedhjen e presidentit flasin më qartë se çdo fjalë.

Postimi i tij i plotë:

Albin Kurti, po të mos donte zgjedhje, siç deklaroi sot, nuk do ta shpërdoronte as mundësinë e dytë që ia dha Gjykata Kushtetuese, 34 ditë shtesë. Mjafton të shihet se si u përdor kjo kohë: nga 34 ditë, 7 i kaloi në vizita të pafrytshme jashtë vendit, ndërsa tri javët e tjera pa asnjë përpjekje serioze për zgjidhje.

Tani, kur ka mbetur vetëm një javë, deklaratat politike nuk kanë më peshë, sepse veprimet destruktive të tij në të dy raundet për zgjedhjen e presidentit flasin më qartë se çdo fjalë.

Është për keqardhje që dikush me 51% të besimit qytetar po e shtyn vendin drejt një procesi të ri zgjedhor për arsye dhe inate personale. Qytetarët do të dijnë t’ia japin përgjigjen e duhur këtij mentaliteti!

Të ngjashme