Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas vdekjes së akademikut Rexhep Qosja, duke e vlerësuar lart figurën dhe kontributin e tij në kulturën dhe mendimin shqiptar.
Në një postim publik, Kurti theksoi se ndonëse Qosja u nda nga jeta, vepra e tij do të vazhdojë të jetojë dhe të ndikojë brezat e ardhshëm.
“Rexhep Qosja ndërroi jetë sot. Vepra e tij padyshim që do të jetojë shumë më gjatë se shekulli i tij. Mirëpo, fillimisht, vepra e tij nis një jetë të re sot: jetën pa autorin”, ka shkruar Kurti.
Ai shtoi se krijimtaria e Qosjes do të marrë kuptime të reja në të ardhmen dhe do të lexohet nga gjenerata të reja.
“Dhjetëra libra të Rexhep Qosjes tash fitojnë një tjetër lloj leximi dhe sigurisht edhe lexues të rinj… Nga ai rilexim i yni dhe i gjeneratave në vijim do të varen mësimet e inspirimet e së ardhmes”, u shpreh ai.
Kurti e cilësoi Qosjen si një figurë të rrallë që ndërthurte fusha të ndryshme të dijes dhe veprimtarisë.
“Në akademi ishte gjuhëtar e në gjuhë ishte historian, në publik ishte shkrimtar e në shkrim ishte mendimtar, në shoqëri ishte politikan e në politikë dijetar”, ka shkruar Kurti.
Sipas tij, akademiku kishte një rol të pazëvendësueshëm në njohjen dhe afirmimin e figurave të Rilindjes Kombëtare.
“Askush nuk i ka njohur dhe ditur më thellë si dhe çmuar e afirmuar më lart rilindasit tanë sa akademik Rexhep Qosja”, theksoi ai.
Kurti nënvizoi se kontributi i Qosjes për gjuhën dhe kombin shqiptar do të mbetet i paharruar.
“Populli shqiptar nuk ka një akademik tjetër bashkëkohor i cili kaq shumë kontribuoi për gjuhën dhe kombin tonë… U nda nga jeta, por i rron gjallë vepra”, shtoi Kurti.