Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka reaguar pas ndarjes nga jeta të akademikut Rexhep Qosja, duke e vlerësuar atë si një figurë të rëndësishme të kulturës dhe mendimit shqiptar.
Në një postim në Facebook, Berisha ka shkruar se me vdekjen e Qosjes kultura dhe mendimi shqiptar kanë humbur një figurë të madhe.
“Akademiku Rexhep Qosja mbyll sytë përgjithmonë. Të dashur miq, dielli perëndoi përgjithmonë për akademikun Rexhep Qosja”, ka shkruar Berisha.
Ai thekson se Qosja ka lënë gjurmë të rëndësishme në letërsinë dhe mendimin politik shqiptar.
“Kultura, mendimi letrar dhe shoqëror e politik shqiptar, polemika dhe letrat shqipe humbën një kollos të tyre, autor të një serie veprash në këto fusha”, thuhet në postim.
Berisha gjithashtu ka kujtuar edhe dallimet që ka pasur me Qosjen, por duke theksuar respektin për të.
“Pavarësisht nga kundërshti, mospajtime dhe vlerësime të ndryshme që kam patur me Prof. Rexhep Qosen, kam ruajtur dhe do ruaj gjithmonë respektin dhe mirënjohjen time ndaj tij”, ka shkruar ai.
Sipas Berishës, Qosja ka pasur rol të rëndësishëm në mbrojtjen e çështjes së Kosovës gjatë viteve të vështira.
“Veçanërisht për kohën kur ai ishte zëri publik i vetëm i fuqishëm i shqiptarëve pa zë e të shtypur të Kosovës nga pushtuesi serb dhe më vonë për mbështetjen e palëkundur që i dha UÇK-së, por edhe qëndrimet e tij kritike ndaj zhvillimeve në Kosovë dhe në Shqipëri”, thuhet më tej.
Berisha ka shprehur ngushëllime për familjen dhe autoritetet në Kosovë.
“Me këtë rast shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera familjes, miqve, të afërmve dhe autoriteteve të Kosovës. I qoftë dheu i lehtë i tokës amë”, shton ai.