Bashkëpunimi ushtarak mes shteteve është normë në arkitekturën moderne të sigurisë, por në Ballkan, ai vazhdon të shihet si problem – të paktën nga Serbia kur përfshin Kosovën dhe dy aleatet e NATO-s, Shqipërinë dhe Kroacinë.
Narrativi shkon deri në perceptim të rrezikut, që jo domosdoshmërisht reflekton gjendjen reale të sigurisë në terren.Pikënisje e gjithë kësaj dinamike ishte një deklaratë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë mes Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit, e nënshkruar më shumë se një vit më parë.
Nënshkruesit e paraqitën atë si angazhim për forcimin e bashkëpunimit, mbrojtjen e territoreve dhe kontributin në paqe e siguri ndërkombëtare, duke theksuar se nuk është e drejtuar kundër askujt.
Megjithatë, Serbia e interpretoi si provokim të hapur, që rrezikon integritetin e saj territorial dhe sigurinë e qytetarëve – deri në atë pikë sa presidenti Aleksandar Vuçiq deklaroi, muajin e kaluar, se këto vende po përgatiten për sulm.Në mes të asgjësë shfaqet një aleancë ushtarake mes Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit. Jo një bashkëpunim ushtarak-teknik, jo një bashkëpunim ushtarak-ekonomik, por një aleancë ushtarake. Dhe, natyrisht, jam i frikësuar për çdo qytetar të këtij vendi”, tha Vuçiq për Radio-Televizionin e Serbisë.
Për ta forcuar këtë narrativ, ai paralajmëroi javën e kaluar investime të reja në ushtri dhe rritje të mëtejshme të kapaciteteve mbrojtëse, duke theksuar se Serbia duhet të jetë e përgatitur për çdo zhvillim në një “situatë komplekse” sigurie, të shkaktuar nga aktivitetet e Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit.Në ditët në vijim, do të nënshkruajmë kontrata shumë të rëndësishme për prokurimin e armëve dhe pajisjeve ushtarake. Presim vizita të rëndësishme dhe kontrata të reja me vende të tjera, me qëllim bërjen e porosive të mëdha për ushtrinë tonë”, shkroi Vuçiq në Facebook.