Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka kritikuar mos përzgjedhjen e një kandidati konsensual për president, tashmë kur ka mbetur edhe pak kohë deri në përfundim të afatit kushtetues, raporton Ekonomia Online.
“Paramendoni, jemi në ditët e fundit dhe po na përsëritet situata e para disa muajve, ku vijmë në ditët e fundit dhe ende nuk i dimë kush janë kandidatët konsensualë, unifikues, të cilët potencialisht do t’i marrin votat në Kuvend. Kjo situatë na tregon papërgjegjësinë e lartë të shumicës parlamentare, na e vërteton që Kosova është pa zgjidhje, po ashtu na tregon për një eksperimentim të vazhdueshëm politiko-institucional në një kohë krizash të mëdha në botë, e veçanërisht në Kosovë. Andaj, siç po shihet, kjo seancë do të jetë e rregullt, presim se çfarë do të ndodhë pas saj apo në ndërkohë”, tha ai.
Tahiri nuk konfirmoi se ka ndonjë seancë sot për çështjen e presidentit.
“Ne nuk kemi as informacion, as njoftim, as komunikim. Presim se çfarë do të ndodhë. E kam thënë shumë herë, sot këtu jemi”, tha ai.