Vendosen masa të reja për kategorizimin e produkteve të qumështit

Prishtinë | 28 Pri 2026 | 13:41 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, ka njoftuar për vendosjen e masave të reja për kategorizimin e produkteve të qumështit në tregun e Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Në një konferencë për media, Muja bëri të ditur se qëllimi kryesor është mbrojtja e konsumatorit dhe prodhuesve vendas.

Ministri theksoi se nga tani e tutje, secili produkt i qumështit duhet të kategorizohet drejt dhe nuk do të lejohet më përzierja e qumështit të freskët me produkte që përmbajnë pluhur apo vaj palme.

“Zbatimi i masave: Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) është autorizuar që t’i zbatojë këto masa në mënyrë të rreptë dhe proporcionale.

Afati kohor: Këto masa do të jenë në fuqi për një periudhë fillestare prej 90 ditësh, me mundësi vazhdimi.

Sipas Mujës, këto vendime janë në interes të mbrojtjes së qumështit të freskët dhe ekonomive familjare në Kosovë”.

Ministri Muja u ka bërë thirrje të gjithë operatorëve ekonomikë në të gjithë territorin e Kosovës që t’i përmbahen me përpikëri dispozitave të reja.

Ai gjithashtu falënderoi mediat për ngritjen e kësaj çështjeje, duke kërkuar ndihmën e tyre në shpërndarjen e këtij mesazhi te qytetarët.

“Është në interes të mbrojtjes së konsumatorit dhe qumështit të freskët,” përfundoi Muja.

Muja shtoi se qumështi i freskët që prodhohet në Kosovë është në presion të vazhdueshëm nga produkte të importuara.

” Për informacionin e juaj, javën e kaluar edhe këtë javë kemi pasur takime të përbashkëta së bashku me Ministrinë e Tregtisë edhe Ministrinë e Financave me gjithë akterët relevantë sa i përket sektorit të qumështit në Kosovë dhe pas analizave që i kemi bërë këtu në kuadër të ministrisë së Bujqësisë, çështjet që ndërlidhen edhe duhet të jenë të ditura edhe për publikun ka të bëjë me tendencën në rritje sa i përket zëvendësimit të qumështit të freskët i cili po prodhohet brenda vendit. Është një situatë që po i afekton ose i afekton ekonomitë rurale gjithandej Kosovës dhe për pasojë edhe qumështi që prodhohet ekziston kohë pas kohë në cikle sezonale mbetet si tepricë. Ne kemi dashtë me i analizua saktë se nga po rrjedhë kjo situatë dhe diskutimet tona, analizat tona janë që qumështi i freskët në Kosovë, aq sa prodhohet vlerësohet diku rreth 320 milionë litra në vit, është në tendencë në presion të vazhdueshëm nga produkte të importuara dhe njëra nga këto është qumështi pluhur.

Në bashkëpunim me Doganën e Kosovës kemi marrë të gjitha hyrjet-daljet në sasi edhe në shuma, ne kemi ardhë në përfundim domethënë sasia e qumështit pluhur është kështu, ka një rritje shumë të madhe, tendencë të madhe të rritjes së importit të qumështit pluhur. E dyta qumështi i freskët po ashtu po ballafaqohet me një presion në rritje sa i përket importit të yndyrnave dhe produkte zëvendësuese që në këtë rast është vaji i palmës. Ta keni parasysh se vaji i palmës në shumë raste në industri përdoret si zëvendësim ndaj yndyrërave shtazore të cilat prodhohen nga qumështi apo në ekonomitë tona familjare, për shkak të tepricës së qumështit. Në lidhje me këtë analiza jonë është që shkalla e presionit është jo vetëm tek të këto dyja por edhe tek produktet tjera të ndërlidhura ose që derivojnë në produkte të qumështit, por në një shkallë pak më të vogël. Rrjedhimisht situata fillon të përkeqësohet për shkak të sezonalitetit të prodhimit të qumështit vendas. Ta keni parasysh që për shkak të përmirësimit të kushteve blegtorale ndërmjet marsit dhe qershorit, kafshët kanë më shumë ushqim dhe rrjedhimisht prodhohet më shumë qumësht, por që e njëjta gjë ndodh edhe tek vendet të tjera kah po importon Kosova”, tha Muja.

Ndërsa, kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit të Kosovës, Naser Bajraktari, ka deklaruar se qumështi që prodhohet në Kosovë të shitet në tregun vendor.

“Ne si shoqatë e prodhuesve të qumështit e kemi ngritur gjithandej Kosovës. Ne si shoqatë kemi ngritur zërin tonë e cila ka qenë para një muaj dite, që kemi bërë kërkesa dhe takime me ministrinë e Bujqësisë dhe ministrinë e Tregtisë dhe të gjitha ministritë që kanë qenë relevante të cilat përballen dhe është interesi jonë. Tek ne, prodhuesit e qumështit kanë filluar që mos të grumbullohet qumështi i tërë i cili prodhohet në Kosovë, prej fermave tona. Dhe kështu që në takimet e përbashkëta, me ministrin Muja dhe me të gjithë jemi ardhur deri te një fazë ku po mendojmë që duhet ta mbrojmë prodhimin vendor, bujqit tanë më shumë derdhin djersë që qumështi të prodhohet dhe të mos shitet në tregun tonë. Kështu që këto masa ministër, faleminderit shumë po shpresojmë që në të ardhmen shumë të shpejtë të reflektojnë dhe ne mos të kemi problem për shitjen e prodhimeve tona vendore”, tha Bajraktari.

Të ngjashme