Kancelari gjerman Friedrich Merz këmbënguli sot se marrëdhënia e tij me Presidentin e SHBA, Donald Trump, mbetet “e mirë”, pasi Trump kritikoi homologun e tij gjerman në një postim në Truth Social të martën.
“Nga këndvështrimi im, marrëdhënia ime personale me presidentin amerikan mbetet e mirë,” u tha Merz gazetarëve në Berlin. “Që nga fillimi kam pasur dyshime për atë që është nisur atje me luftën me Iranin.”
Ai shtoi se Gjermania dhe Evropa po vuajnë pasojat e mbylljes së Ngushticës së Hormuzit.
“Kjo ka një ndikim të drejtpërdrejtë në furnizimet tona me energji dhe një ndikim masiv në performancën tonë ekonomike”, tha ai.
Në një postim në Truth Social të martën, Trump sulmoi Merz për qëndrimin e tij mbi luftën, duke shkruar: “Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, mendon se është në rregull që Irani të ketë armë bërthamore. Ai nuk e di për çfarë po flet!”.
Ai vazhdoi: “Nuk është çudi që Gjermania po ecën kaq keq, si ekonomikisht ashtu edhe në aspekte të tjera!”.
Trump më parë ka dënuar liderët europianë për refuzimin e tyre për t’u përfshirë në konflikt. Merz ka theksuar më herët se Irani nuk duhet të zotërojë armë bërthamore. Megjithatë, ai ka qenë i zëshëm në kritikat e tij ndaj konfliktit aktual.
Të hënën, Merz tha se SHBA po “poshtërohet” nga Irani, duke kritikuar atë që ai e quajti mungesë strategjie amerikane, duke përmendur Irakun dhe Afganistanin si paralajmërime për hyrjen në luftëra pa strategji daljeje.