Kosova po përjeton krizë politike e institucionale dhe gjendet para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat sërish “nuk garantojnë stabilitet”, vlerëson Naim Rashiti, drejtor i Grupit Ballkanik për Politika në Prishtinë.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se në sytë e faktorit ndërkombëtar, Kosova po përjeton “krizë politike dhe institucionale sistematike”.
“Kjo situatë të bën joadekuat për të qenë bashkëbisedues me faktorin ndërkombëtar dhe me agjendat ndërkombëtare, qoftë për anëtarësim [në Bashkimin Evropian], qoftë për proceset e agjendave rajonale”, thotë Rashiti.
Sipas tij, Kosova ka vite që e ka humbur besueshmërinë në raport me faktorët ndërkombëtarë.
“Kosova është bërë një plagë e vogël, por pa ndikim përtej, e cila trajtohet si një ‘paciente’ e lënduar, e papjekur, e sëmurë dhe që duhet pritur të shërohet, por për të cilën nuk vjen terapia nga jashtë”, thekson Rashiti.
Siç thotë ai, Kosova aktualisht ka një kastë politike “që nuk i beson as vetvetes, as aktorëve rreth saj, as strukturave të veta dhe minimalisht, as partnerëve”.
Si e tillë, vlerëson ai, kjo kastë politike nuk mund të arrijë që të ketë dialog me kundërshtarët politikë dhe as me faktorin ndërkombëtar.