Haradinaj kritikon qeverinë: Punëtorët përballen me paga të ulëta dhe kosto të lartë jetese

Prishtinë | 01 Maj 2026 | 08:53 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj në Ditën Ndërkombëtare të Punës ka kritikuar qeverisjen aktuale.

Haradinaj përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se qeveritë e përgjegjshme punojnë për të përmirësuar kushtet e punëtorëve, ndërsa qeveria në largim ka bërë të kundërtën.

Sipas tij, qytetarët sot përballen me paga të ulëta, kosto të lartë jetese dhe standard që mbetet ndër më të ulëtit në rajon.

“Paga minimale është kthyer më shumë në formë asistence, ndërsa paga mesatare mezi mbulon nevojat bazike të një familjeje. Në sektorin publik dhe privat, vështirësitë janë të njëjta dhe presioni ekonomik rritet çdo ditë. Sot, shumë punëtorë kanë humbur shpresën, ndërsa fuqia e re punëtore gjithnjë e më shumë sheh largimin nga vendi si mundësi të vetme për një jetë më të mirë. Urimi im për të gjithë punëtorët e Republikës së Kosovës në këtë 1 Maj është që të vijnë ditë më të mira, me më shumë dinjitet dhe mundësi në vendin e tyre”, ka shkruar Haradinaj.

Të ngjashme