Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu ka marrë pjesë në akademinë përkujtimore në nder të masakrës së Studimes së Vushtrrisë.
Haxhiu tha se pas krimit të bërë nga Serbia në 2 maj 1999, banorët e gjallë të Studimes i dëbuan për në Shqipëri.
“Jemi mbledhur sot këtu në Studime, në vendin ku më 2 maj 1999, brenda dy orëve u ndërpre jeta e 116 civilëve shqiptarë. 116 civilë shqiptarë: fëmijë, të rinj, gra, burra e pleq.
Ata po largoheshin nga fshatrat e rrethuara për të mbetur gjallë, por rruga e tyre u ndërpre nga forcat serbe. Një shtet i tërë kishte kthyer aparatin e vet ushtarak, policor dhe para-ushtarak në makineri të spastrimit etnik dhe të vrasjeve e të gjenocidit.
Pas masakrës së 2 majit, për familjet e Studimes nuk mbaroi as tmerri, as dhuna. Masakra nuk ishte fundi i operacionit gjenocidal të Serbisë, ishte një nga hallkat e tij. Të vrarët mbetën pas. Gratë, fëmijët dhe të moshuarit u nisën të dëbuar drejt Shqipërisë. Burrat e ndarë nga kolona u çuan në burgun e Smrekonicës, ku u rrahën, u morën në pyetje, u lanë në kushte çnjerëzore dhe u torturuan.
Serbia nuk u mjaftua me vrasjen. Ajo deshti ta zbrazte vendin, ta thyente familjen, ta poshtëronte të mbijetuarin dhe ta linte krimin pa gjykim. Edhe sot e kësaj dite, Serbia i strehon kriminelët e luftës. Kështu vepron një shtet kur krimin e ka politikë.
Prandaj kur flasim për Studimen, flasim edhe për Nabërgjanin, ku një ditë para Studimes u vranë 17 civilë shqiptarë. Flasim edhe për Bukoshin, ku një ditë pas Studimes, 25 burra dhe djem u morën nga kolona e të dëbuarve dhe u ekzekutuan në oborr të shkollës. Flasim për Mejën, për Krushën, për Izbicën, Poklekun, Rezallën, Korenicën, edhe për shumë vende të tjera ku Serbia la njerëz të vrarë, la nëna pa fëmijë e fëmijë pa prindër.
Të dashur familjarë, ju keni jetuar me mungesën më gjatë sesa me praninë e shumë prej më të dashurve tuaj. Keni jetuar me kujtime, me pritje, me shumë pyetje të cilat ende s’i kanë përgjigjet. Por ju keni qëndruar. Keni ruajtur të vërtetën kur të tjerët kanë provuar ta shtrembërojnë dhe, më e rëndësishmja, keni folur kur është dashur të dëshmohet për krimet që Serbia i ka bërë në vendin tonë”, tha Haxhiu.
Gjithashtu Haxhiu premtoi se institucionet do të jenë pranë familjareve në prokurori dhe gjykata e në shumë fusha tjera.
“Shteti do të jetë pranë jush jo vetëm në përvjetore. Do të jemi pranë jush në mbledhjen e dëshmive, në prokurori, në gjykatë, në arkiv, në kujtesën publike, në shkollë e në diplomaci. Këtë përgjegjësi e ndjej thellë edhe unë në detyrën që mbaj sot, dhe zotohem se Studimja nuk do të mbetet vetëm në kujtimin e familjeve, por edhe në punën e përditshme të institucioneve, përfshirë të institucioneve të drejtësisë, që kriminelët e luftës të mos mbesin pa u ndëshkuar.
Sepse Studimja, përveç dhimbjes së familjarëve, është pjesë e historisë politike të Republikës së Kosovës. Njerëz të pafajshëm u vranë sepse ishin shqiptarë dhe sepse Serbia donte një Kosovë pa shqiptarë. Sot ne jetojmë Republikën e Kosovës sepse ai projekt ka dështuar. Dështoi sepse qëndresa ishte e popullit, e popullit tonë. Dështoi nga lufta çlirimtare, dështoi nga sakrifica e martirëve dhe e dëshmorëve tanë, dështoi nga ndërhyrja e aleatëve tanë perëndimorë. Dështoi sepse vullneti për liri ishte më i fortë se terrori.
Sot, në përvjetorin e 27-të të masakrës së Studimes, me përulje dhe respekt i kujtojmë 116 civilët e vrarë më 2 maj 1999. Kujtojmë martirët e Nabërgjanit, kujtojmë burrat e djemtë e Bukoshit, kujtojmë të gjithë të vrarët, të zhdukurit me dhunë, të dëbuarit, të mbijetuarit dhe të burgosurit e të torturuarit e luftës së fundit në Kosovë. I kujtojmë sepse janë themeli i lirisë sonë. I nderojmë sepse mbi sakrificën e tyre është ngritur Republika jonë dhe kërkojmë drejtësi sepse pa të, kujtesa mbetet e paplotë, familjarët mbeten të rënduar dhe paqja mbetet e cunguar.
Lavdi martirëve të Studimes, lavdi gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit, lavdi popullit të Kosovës që nuk u përkul asnjëherë”, tha Haxhiu.
