Kurti takon Kaja Kallasin në Samitin e EPC-së, diskutohet integrimi evropian dhe dialogu me Serbinë

Prishtinë | 04 Maj 2026 | 18:53 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar takim me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, njëherësh Zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, Kaja Kallas, në margjina të Samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC).

Sipas komunikatës së Qeverisë, gjatë takimit është diskutuar për situatën politike në rajon dhe çështjet e sigurisë në kontekstin e sfidave ndërkombëtare.

“Kryeministri në detyrë Kurti theksoi rëndësinë e linjëzimit me Bashkimin Evropian në adresimin e këtyre sfidave dhe në avancimin e integrimit evropian të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Kurti ka rikonfirmuar përkushtimin e Kosovës ndaj agjendës së reformave dhe kërkesën për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ai, sipas njoftimit, ka theksuar “progresin e vendit tonë dhe nevojën për trajtim të drejtë, të bazuar në meritë”.

Në takim është biseduar edhe për zhvillimet e fundit politike në Kosovë, përfshirë zbatimin e ligjit për të huajt dhe dakordimin e datës 14 mars, i cili është vlerësuar si “një momentum i ri dhe pozitiv për rrugën përpara”.

Temë diskutimi ishte edhe dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe çështja e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Sipas komunikatës, Kurti ka ngritur shqetësimet për pasivizimin e adresave dhe pamundësimin e mbështetjes financiare për shqiptarët në Luginë nga Qeveria e Kosovës.

“Takimi u zhvillua në një frymë konstruktive dhe shërbeu për shkëmbim të hapur të pikëpamjeve mbi temat me interes të përbashkët”, thuhet në fund të komunikatës, duke riafirmuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Të ngjashme