Drejtori i deritanishëm i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Samir Shahini, ka bërë të ditur se nuk do t’i vazhdohet mandati në këtë pozitë.
Përmes një postimi në Facebook, Shahini tha se mandati i tij përfundon me vendim të kryetarit të Kryeqytetit, ndërsa theksoi se gjatë kësaj periudhe janë realizuar një sërë projektesh dhe reformash në arsim.
“Me vendim të Kryetarit të Kryeqytetit, mandati im si Drejtor i Arsimit përfundon këtu”, ka shkruar Shahini.
Ai vlerësoi se puna e bërë nuk ka qenë “e zakonshme” dhe se bashkë me ekipin e tij kanë sfiduar mënyrat e vjetra të funksionimit në arsim.
“Një gjë dua ta them qartë: puna që kemi nisur nuk ishte e zakonshme dhe nuk duhet të trajtohet si e tillë. Me ekipin tim nga drejtoria, me shkollat e prindërit, bashkë kemi sfiduar mënyra të vjetra të funksionimit”, u shpreh ai.
Shahini renditi disa nga projektet që, sipas tij, janë realizuar gjatë mandatit, përfshirë zgjerimin e mësimit tërëditor në shtatë shkolla të tjera, renovimin e 14 shkollave, hapjen e objektit të ri të shkollës “7 Shtatori” dhe çerdhes së re në lagjen Dardania.
Ai po ashtu përmendi shpërndarjen e mbi 300 tabelave digjitale në shkolla, nisjen e Ligës së Shkollave për vajza dhe djem, si dhe nënshkrimin e rreth 40 marrëveshjeve bashkëpunimi me organizata dhe biznese.
“Këto nuk janë procese të lehta. Por janë të domosdoshme. Për këtë rrugë që kemi hapur, për gjithë punën e përkushtimin tim gjatë kësaj kohe jam jashtëzakonisht krenar, e sot largohem me kokën lart”, shkroi Shahini.
Në fund të reagimit të tij, ai u bëri thirrje mësimdhënësve dhe stafit arsimor që të vazhdojnë punën për ruajtjen e standardeve në arsim.
“Mos e ulni standardin. Mos e ndalni ritmin. Sepse në fund, nuk është çështje mandati. Është çështje e së ardhmes së fëmijëve tanë”, shtoi ai.