Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se ka sekuestruar nëntë automjete në kuadër të hetimeve për veprën penale “mashtrimi kompjuterik”.
Në njoftimin zyrtar, Prokuroria thotë se aksioni është ndërmarrë me urdhër të Prokurorit të Shtetit.
“Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë sekuestruar nëntë (9) automjete të cilat dyshohen se janë përfituar përmes veprës penale ‘mashtrimi kompjuterik’”, thuhet në komunikatë.
Sipas Prokurorisë, automjetet e sekuestruara janë të markave të ndryshme, përfshirë Seat Leon, Volkswagen Polo, Golf 8, Audi A6, Volkswagen Jetta dhe Peugeot 2008 Allure.
Po ashtu, është bërë e ditur se është lëshuar urdhër për ndalim të përkohshëm të kësaj pasurie.
“Prokurori i Shtetit ka lëshuar urdhër për ndalim të përkohshëm të kësaj pasurie, me qëllim sigurimin e saj deri në përfundim të procedurës penale”, thuhet më tej.