Vjosa Osmani prezanton Visar Xanin: Shërbimin publik e sheh si detyrim ndaj qytetarëve

Prishtinë | 10 Maj 2026 | 11:54 | Nga Ekonomia Online

Ish-Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka prezantuar bashkëpunëtorin e saj, Visar Xani përmes një postimi, ku ka vlerësuar përvojën dhe angazhimin e tij shumëvjeçar në fushën e komunikimit publik dhe administratës.

Osmani ka thënë se puna e Xanit lidhet prej më shumë se 18 vjetësh me fjalën publike dhe zhvillimet politike e shoqërore në Kosovë.

“Visari i përket atij brezi që e njohu Kosovën në lëvizje, në debat, në përpjekjen e saj të vazhdueshme për t’u bërë shtet më i fortë e më i drejtë”, ka shkruar Osmani.

Ajo ka theksuar se Xani fillimisht ka vepruar si gazetar dhe analist politik, ndërsa më pas ka kontribuar edhe në institucione publike dhe organizata ndërkombëtare.

“Në organizata ndërkombëtare dhe në administratë publike, Visari ka sjellë qetësinë e njerëzve që e kuptojnë shtetin si një projekt në të cilin duhet të punohet ditë pas dite”, thuhet në postimin e saj.

Presidentja ka veçuar edhe kontributin e tij në reforma dhe komunikim institucional, si dhe rolin si Koordinator Nacional i RESPA-s për Kosovën.

“Visari ka kontribuar në reforma, në komunikim institucional dhe në formimin profesional të shumë zyrtarëve në Kosovë”, është shprehur Osmani.

Ajo ka vlerësuar seriozitetin e tij në shërbimin publik.

“Mbi të gjitha, ai sjell një cilësi që rrallë thuhet, por lehtësisht dallohet: seriozitetin e njeriut që e sheh shërbimin publik si detyrim ndaj qytetarëve dhe jo si privilegj”, ka shkruar Osmani, duke shtuar: “I nderuar Visar, na priftë e mbara në këtë rrugëtim të përbashkët”.

Të ngjashme