KEK: Njësia A4 e TC Kosova A rikthehet në operim

Prishtinë | 10 Maj 2026 | 15:20 | Nga Ekonomia Online

Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se Njësia A4 e Termocentralit Kosova A është rikthyer me sukses në operim, pas përfundimit të punimeve të riparimit në sistemin gypor të kaldajës.

Sipas njoftimit të KEK-ut, janë krijuar të gjitha kushtet teknike për startimin e njësisë, ndërsa procesi është realizuar në përputhje me standardet teknike dhe të sigurisë.

“Startimi i njësisë, në përputhje të plotë me standardet teknike dhe të sigurisë, është realizuar në orët e hershme të mëngjesit, ndërsa procesi i sinkronizimit është realizuar me sukses rreth orës 09:00”, thuhet në njoftim.

KEK-u ka falënderuar ekipet profesionale të angazhuara në rikthimin e njësisë në funksion.

“KEK shpreh falënderim të veçantë për të gjithë punonjësit, ekipet profesionale të mirëmbajtjes mekanike dhe mirëmbajtjes elektrike për profesionalizmin, përkushtimin dhe gatishmërinë e treguar gjatë gjithë procesit të sanimit dhe rikthimit të njësisë në operim”, bëhet e ditur në komunikatë.

Tutje, korporata ka theksuar se angazhimet e stafit dëshmojnë përkushtimin për stabilitetin e prodhimit të energjisë elektrike në vend.

“Këto angazhime dëshmojnë përkushtimin e vazhdueshëm të KEK-ut dhe stafit të TC Kosova A për sigurimin e stabilitetit dhe besueshmërisë së prodhimit me energji elektrike”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme