Hamza: Fatmir Limaj nuk do të jetë pjesë e listës së PDK-së

Prishtinë | 11 Maj 2026 | 17:55 | Nga Ekonomia Online

Krytari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza pas mbledhjes së kryesisë së kësaj partie, ka njoftuar se Fatmir Limaj nuk do të jetë pjesë e listës zgjedhore, raporton Ekonomia Online.

Ai ka thënë se e vlerësojnë kontributin e Limajt dhe e respektojnë por nuk do të jetë pjesë e PDK-së.

“Sa i përket diskutimeve të fundit në media, ne kemi pranuar një letër nga kryetari i NISMA-s Socialdemokrate, z. Fatmir Limaj. Pas diskutimeve në kryesinë e PDK-së, kemi një qëndrim i përgjithshëm: e mirëpresim kontributin e z. Limaj dhe NISMA-s që do të japin për PDK-në në këto zgjedhje. Jemi të bindur që kjo përkrahje do të reflektojë në rritjen e votës për Partinë Demokratike të Kosovës edhe si rezultat i angazhimit. Sigurisht që zoti Limaj në të ardhmen në proceset e brendshme zgjedhore është i mirëpritur të jetë pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës. Kësaj radhe, z. Limaj nuk do të jetë pjesë e listës zgjedhore të PDK-së për deputetë. Ju e keni parë edhe vet letrën që ka dërguar zoti Limaj nuk ka pasur kërkesë nga ai që të jetë pjesë e listës”, tha Hamza para mediave.

Hamza po ashtu shtoi se është bërë trend që të ketë kandidat për kryeministër, mirëpo të gjithë garojnë për deputet.

“Zgjedhjet mbahen për Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ne të gjithë garojmë për një vend në ulëset për deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Është bërë një trend, një modë, që po nominalizohet një kandidat për kryeministër, ndërsa realisht të gjithë garojmë fillimisht për deputetë. Dhe pastaj, varësisht prej numrit të ulëseve dhe varësisht prej mundësisë të ndonjë marrëveshje politike pas zgjedhjeve, ne kemi mundësi që të flasim edhe për proceset edhe për pozicionet e tjera.”, tha Hamza.

Të ngjashme