Kandidatja për presidente, Vjosa Osmani ka prezantuar prurjen e radhës.
Bëhet fjalë për Kreshnik Çollakun i cili në zgjedhjet e 7 qershorit do të jetë kandidat për deputet në listën e LDK-së.
Sipas Osmanit, Çollaku është gjithashtu një nga themeluesit e Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990, brezi që rrëzoi diktaturën komuniste dhe e lidhi fatin e shqiptarëve me demokracinë dhe Perëndimin.
Postimi i plotë:
Një jetë e ndërtuar mes universitetit, diplomacisë dhe kauzës së Kosovës.
Sot, bashkë me Lumirin, kemi kënaqësinë të prezantojmë Kreshnik Çollakun si pjesë të rrugëtimit tonë politik.
Niku e ka lidhur angazhimin e tij me mbështetjen e Kosovës, demokracisë dhe orientimit euro-atlantik të shqiptarëve.
Për më shumë se 20 vite si pedagog universitar, ai ka formuar breza studentësh me frymën e mendimit demokratik, përgjegjësisë publike dhe vizionit perëndimor.
Në periudhat më të rëndësishme të konsolidimit ndërkombëtar të Kosovës, ai ka shërbyer në Ambasadën e Shqipërisë në Washington, duke kontribuar në forcimin e mbështetjes amerikane për Kosovën dhe promovimin e çështjes së saj në qarqet diplomatike amerikane.
Si deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe pjesë aktive e diplomacisë parlamentare, ai ka qenë një zë i fuqishëm në mbështetje të Kosovës në forume rajonale dhe ndërkombëtare, duke mbrojtur të drejtën e saj për pavarësi, sovranitet, integritet territorial dhe integrim euro-atlantik.
Kreshnik Çollaku është gjithashtu një nga themeluesit e Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990, brezi që rrëzoi diktaturën komuniste dhe e lidhi fatin e shqiptarëve me demokracinë dhe Perëndimin.
Mbi të gjitha, ai ka ruajtur gjithmonë një lidhje të veçantë me Kosovën, me njerëzit dhe të ardhmen e saj. Sot, ai është edhe shtetas krenar i Republikës së Kosovës dhe si këshilltar i imi për politikë të jashtme në Presidencë ka dhënë një kontribut të vyer në hapjen e dyerve të Kosovës me botën e në veçanti në thellimin e raporteve me SHBA.
Ne besojmë se Kuvendi i Kosovës ka nevojë për njerëz me përvojë, integritet dhe vizion, dhe te Kreshnik Çollaku do ta gjejnë një të tillë.
Mirë se vjen Kreshnik e na priftë e mbara në këtë rrugëtim vendimtar!