Prokuroria Themelore në Prizren, përkatësisht Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit B.P. dhe personit juridik “B. Sh.P.K.”, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurimin publik”, sipas nenit 415, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, rasti ka të bëjë me një kontratë publike të lidhur më 22 dhjetor 2023 në Dragash, për furnizimin e shkollave të komunës me 16 aparate fotokopjuese.
Prokuroria dyshon se i pandehuri B.P., në cilësinë e personit të autorizuar të operatorit ekonomik “B. Sh.P.K.”, ka shkelur rregullat e prokurimit publik duke mos i përmbushur detyrimet kontraktuale. Sipas pretendimeve, në vend të dorëzimit të 16 aparateve të reja, janë furnizuar pajisje të ri-fabrikuara, përkatësisht aparate të përdorura dhe të servisuara, në të cilat janë vendosur pjesë të reja shpenzuese.
Në aktakuzë thuhet se me këto veprime i është shkaktuar dëm ekonomik dhe buxhetor Komunës së Dragashit, pasi pajisjet e ri-fabrikuara kanë qëndrueshmëri më të ulët, kërkojnë më shumë mirëmbajtje dhe mund të sjellin kosto shtesë krahasuar me pajisjet e reja.
Po ashtu, aktakuza është ngritur edhe ndaj personit juridik “B. Sh.P.K.” si operator ekonomik fitues i kontratës.
Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen në përputhje me ligjin.