Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka deklaruar se nuk beson që ish-krerët e UÇK-së do të dënohen nga Gjykata Speciale, duke thënë se një vendim i tillë mund të sjellë destabilizim në Kosovë dhe në Ballkan, raporton Ekonomia Online.
Pas një takimi që zhvilloj me prefektin e Tiranës, Gucati tha se ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së nuk ka bazë materiale për dënim dhe se, sipas tij, përgjegjësia për krimet gjatë luftës bie mbi forcat serbe.
“Nuk ka bazë materiale dënimi i tyre. 10 milionë shqiptarë, unë jam i bindur që Evropa nuk dëshiron të ketë trazira në Ballkan, sidomos në këtë vend, nëse dënohen. Edhe nuk e besoj atë fare që do dënohen ata, por nuk e besoj se vetë evropianët, apo ndërkombëtaret, kanë dëshirë të ketë destabilizim të vendit. Se nëse drejtësia evropiane gabon dhe dënon pafajësisht këta njerëz duke e ditur se ne s’jemi kriminelë. Ne s’kemi bë krime, këtu krime ka bë ushtria, policia edhe para-militarët serbë në 1998-99-tën. 13 mijë e 500 qytetarë të vrarë, 1 mijë e 324 fëmijë të vrarë prej moshës 7 ditë deri në moshën 15 vjeçare”, tha ai.
Gucati tha se UÇK-ja nuk ka kryer spastrim ndaj qytetarëve në Kosovë dhe kërkoi që përgjegjësit për krimet të dalin para drejtësisë.
“Kjo do të thotë kush asht agresori, kush asht xhelati. Ne s’kemi qenë xhelatë, ne s’kemi bë, s’kemi spastru Kosovën nga asnjë qytetar. Çdo qytetar i Kosovës ka të drejtë të jetojë, të punojë, të veprojë këtu. Ata të cilët i kanë duart me gjak, ata të cilët i kanë duart me gjak të ecin mbi Kosovën si prej gjyqi. I presin gjykatat tona. Nëse ka drejtësi në Kosovë duhet të merren të gjithë ata kriminelë e të dënohen para drejtësisë”, tha ai.
Ai shtoi se një vendim dënues mund të pasohet me reagime qytetare, por tha se deklaratat e tij nuk duhet të interpretohen si kërcënim.
“Mund të jetë protesta, mund të jetë demonstrata, po simbas meje vendi mund të destabilizohet, mbarë Ballkani mund të destabilizohet. Kjo është frika, jo që ne po bëjmë kërcënim, mos të më marrë këtë që po e thonë, mund ta kapë dikush për fjale e mund ta mbajë si kërcënim. Ne s’po kërcënojmë, po ne po thonë që mund të jetë protesta, mund të jetë demonstrata dhe kjo nuk është e mirë as për ndërkombëtarët as për asnjë person”, tha ai.
Gucati tha se OVL-UÇK-ja ka ndarë dekoratë për Prefektin e Tiranës, Shkëlqim Hajdari, për kontributin e tij ndaj çështjes kombëtare dhe mbështetjen për veteranët.
“Ne kemi përzgjedhur ta nderojmë Prefektin e i Tiranës, Shkëlqim Hajdari, me këtë dekoratë, e cila do të jetë kujtim për tërë jetën. Kjo dekoratë nuk është thjesht një ngritje apo ulje. Kjo dekoratë thjesht vlerëson atë mirënjohjen, apo vlerën që ai ka dhënë, vlerat e veta, vlerat e veta që ka dhënë gjatë kohës për vende të ndryshme. Kështu që unë edhe njëherë e gjej këtë kënaqësi, që ka gjetur kohë me ardhur kryetari, bashkërisht me ekipin e vet Por ne jemi mirënjohës për këtë punë edhe për veprat e tyre, aq më shumë që kanë bërë për këtë punë dhe për vendin tonë”, tha ai.
