Ministria e Jashtme është deklaruar për takimin që kryenegociatori i Kosovës, në dialogun teknik për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, Agron Bajrami, ka zhvilluar me emisarin special të BE’së, Peter Sorensen.
Në njoftimin e ministrisë thuhet se, gjatë takimit janë shkëmbyer mendime lidhur me hapat e ardhshëm në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
‘’ Sa i përket hapave të ardhshëm, Kryenegociatori Bajrami theksoi se Kosova insiston në zbatimin e plotë dhe jo-selektiv të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit Implementues të Ohrit, që përfshin obligimin e Serbisë për të respektuar integritetin territorial të Republikës së Kosovës dhe sovranitetin e institucioneve të saj në të gjithë territorin e Kosovës’’, thuhet mes tjerash në njoftim.
Postimi:
Kryenegociatori i Republikës së Kosovës në dialogun teknik për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, ambasadori Agron Bajrami, është takuar sot me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për këtë proces, z. Peter Sorensen.
Në takim u shkëmbyen mendime lidhur me hapat e ardhshëm në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe me hapat konkretë për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani.
Kryenegociatori Bajrami theksoi se Republika e Kosovës është e vendosur në qëndrimin e saj se procesi i dialogut duhet të përmbyllet sa më shpejt që të jetë e mundur, përmes njohjes reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, për t’i hapur rrugën integrimit të plotë të Kosovës dhe të gjithë rajonit në Bashkimin Evropian.
Ai po ashtu theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar dhe konstruktive në këtë proces, duke kërkuar që të shtohen presionet ndaj palës tjetër për të përmbushur obligimet që ka marrë gjatë viteve në dialog. Këto obligime përfshijnë integrimin e Republikës së Kosovës në organizatat ndërkombëtare, si Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës, NATO dhe OKB.
Sa i përket hapave të ardhshëm, Kryenegociatori Bajrami theksoi se Kosova insiston në zbatimin e plotë dhe jo-selektiv të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit Implementues të Ohrit, që përfshin obligimin e Serbisë për të respektuar integritetin territorial të Republikës së Kosovës dhe sovranitetin e institucioneve të saj në të gjithë territorin e Kosovës.
Progresi i mëtejshëm në proces do të varet shumë edhe nga llogaridhënia për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë, që përfshin dorëzimin e udhëheqësit të këtij sulmi, Milan Radojiqit, dhe grupit të tij, për t’u përballur me drejtësinë në Kosovë, ka thënë ambasadori Bajrami.