Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, ka pritur në një takim të rëndësishëm pune drejtues të lartë të institucioneve olimpike ndërkombëtare dhe rajonale, në kuadër të përgatitjeve për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Në takim morën pjesë Presidenti i Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030” dhe njëherësh Presidenti i Komitetit Olimpik të Maltës, Julian Pace Bonello, Sekretari i Përgjithshëm i ICMG-së, Iakovos Filippousis, Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, zëvendëspresidenti Milaim Kelmendi, si dhe këshilltari i Ministrit të Sportit të Kosovës, Drilon Brahimi.
Takimi u zhvillua në kuadër të inspektimeve dhe koordinimit për përgatitjet e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, event që konsiderohet historik për sportin në Kosovë dhe rajon. Në këtë organizim, Durrësi do të ketë një rol të rëndësishëm si qytet mbështetës për zhvillimin e të gjitha sporteve ujore.
Gjatë takimit, Presidenti Fidel Ylli prezantoi zhvillimet dhe arritjet e sportit shqiptar në vitet e fundit, duke u ndalur te transformimi i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe investimet në infrastrukturë sportive, organizim dhe bashkëpunim ndërkombëtar.