Mourinho komenton përleshjen mes Arbeloas dhe Mbappes – sqaron edhe të ardhmen e tij

Prishtinë | 16 Maj 2026 | 09:35 | Nga Ekonomia Online

Trajneri i Benficas, Jose Mourinho, ka shtyrë edhe një herë bisedimet për të ardhmen e tij, mes spekulimeve të shumta se ai mund të jetë trajneri i ardhshëm i Real Madridit.

Mourinho pranoi të premten, para ndeshjes së fundit të sezonit të Benficas kundër Estoril, se ende nuk i ishte përgjigjur ofertës për rinovim të kontratës nga “Shqiponjat”.

Portugezi ka edhe një vit të mbetur në kontratën e tij në “Estadio da Luz”, ndërsa presidenti Rui Costa thuhet se po kërkon ta zgjasë marrëveshjen. Megjithatë, Mourinho i tha Diario AS se nuk e kishte parë ende ofertën e vendosur në tryezë.

“Po, të mërkurën mora një ofertë për rinovim të kontratës nga Benfica. Oferta iu dorëzua agjentit tim, por unë nuk desha ta shihja, të informohesha për të apo ta analizoja. Këtë do ta bëj vetëm duke nisur nga e diela, do të thosha të dielën”, deklaroi Mourinho

Ndërkohë, të enjten në mbrëmje, ylli Kylian Mbappe e vuri publikisht në dyshim trajnerin Alvaro Arbeloa. Ky i fundit tha se Mbappe i kishte “keqkuptuar” komentet e tij, duke shtuar se pretendimet e francezit nuk ishin të vërteta.

“Më dhemb. Sepse, siç thua me të drejtë, ai është mik. Një nga ata që dha gjithçka për mua kur unë isha lojtari i tij, dhe tani që ai është trajner i Real Madridit, ajo lidhje mbetet”, u shpreh Mourinho.

“Sigurisht, fakti që edhe ai është trajner më motivon edhe më shumë kur gjërat shkojnë mirë. Por kjo është jeta e një trajneri”.

“Shpesh bëj shaka me ish-lojtarët e mi që bëhen trajnerë, duke u thënë: ‘Prit edhe nja dy vjet dhe do ta shohësh sa shumë thinja do të të dalin’”.

“Pastaj e kuptojnë se të jesh lojtar është më e lehtë sesa të jesh trajner. Jam i kënaqur me atë që ai ka arritur deri tani”.

Sipas bindjes së përgjithshme, Mourinho është në negociata të avancuara me Real Madridin për të marrë drejtimin e skuadrës në vend të Arbeloas, megjithëse madrilenët kanë edhe dy ndeshje për të zhvilluar deri në fund të këtij sezoni./Telegrafi/

Të ngjashme