Kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, ka mbajtur konferencë për media në “Ishullin Urban” në Prishtinë, lidhur me bllokimin e punimeve nga Inspektorati për Trashëgimi Kulturore (ITK), raporton Ekonomia Online.
Rama, ka ftuar Prokurorinë që të ndërmarrë masa të menjëhershme, duke thënë se të gjithë sabotuesit duhet të shkojnë në Prokurori.
“Në punishten e Ishullit Urban ku për fat të keq prapë punët tona po bllokohen. Po bllokohen 30 mijë banorë të kryeqytetit me ju krijua mundësinë me kalu të sigurtë prej anës të “Arbërisë” në qendër të kryeqytetit. Kujt po i pengojnë këto punë? Qeveria vazhdon për çështje puro-politike me blloku kryeqytetin, derisa të njëjtën kohë ju jep leje sektorit privat. Çfarë hipokrita, çfarë hipokrizie. Ne e kemi kriju projektin, e kemi ndarë buxhetin, kemi filluar punimet, po vazhdojnë punimet me intensitet e ata vijën edhe e bllokojnë kryeqytetin ën mënyrë të jashtëligjshme. Nuk do të lejoj si kryetar i kryeqytetit të bllokohen banorë të kryeqytetit nga njerëz që janë të paaftë, që nuk ia dojnë të mirën këtij qyteti që nuk ia dojnë të mirën këtij vendi”, ka thënë ai.
“Prandaj, ftoj prokurorinë që të ndërmarrë masa të menjëhershme. Të gjithë këta bllokues e sabotues të shkojnë në Prokurori… Nuk kanë asnjë bazë ligjore, thirren në dokumente që nuk ekzistojnë. E ftoj prokurorinë që ti marrë në pyetje. Nuk ka asgjë që e ndalë kryeqytetin…Do ta dorëzojmë kallëzimin menjëherë”, ka thënë ai.
“Do të vazhdojmë me punë edhe në sheshin “Xhorxh Bush”, sikurse do të vazhdojmë edhe në “Ishullin Urban”, ka shtuar Rama.


