Punëtori humb jetën pas rënies nga objekti në ndërtim në Vushtrri

Prishtinë | 21 Maj 2026 | 17:37 | Nga Ekonomia Online

Një person ka humbur jetën sot në Vushtrri, pasi ka rënë nga një objekt në ndërtim.

Sipas njoftimit të policisë, rasti ka ndodhur rreth orës 13:00, kur një punëtor ka rënë nga një kat i lartë i një objekti në ndërtim.

“Sot rreth orës 13:00, policia në Vushtrri është njoftuar se nga një kat i lartë në një objekt në ndërtimi ka rënë një punëtor në rrethana ende te panjohura. Ai është dërguar me autoambulancë në repartin e emergjencës në spitalin e qytetit në Vushtrri, mirëpo nuk ka arritur t’u mbijetojë lëndimeve të pësuara ndërsa vdekjen e ka konfirmuar mjeku kujdestar”, thuhet në njoftim.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, inspektorët komunalë dhe inspektorët e punës, ndërsa është kontaktuar edhe prokurori i rastit.

“Pas përfundimit të shikimit të vendit të ngjarjes është kontaktuar prokurori për krime të rënda i cili ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale; ‘Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës’”, thuhet më tej në njoftim.

Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës, një mashkull 31-vjeçar, është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Hetimet për rastin janë duke vazhduar për zbardhjen e plotë të rrethanave.

Të ngjashme