Memli Krasniqi dhe Abelard Tahiri vizitojnë Thaçin: Keni të fala dhe një porosi, besoni në Kosovë!

Prishtinë | 21 Maj 2026 | 17:46 | Nga Ekonomia Online

Ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka njoftuar për një vizitë së bashku me Abelard Tahiri te ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duke theksuar mbështetjen dhe solidaritetin me të në këtë proces, siç e ka quajtur ai, “final”.

Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi tha se vizita kishte për qëllim që të jenë pranë tij dhe bashkëluftëtarëve të tij në këtë periudhë.

“Bashkë me Abelardin, në takime të ndara, sot ishim edhe një herë në vizitë te Presidenti Thaçi. Për të qenë pranë tij dhe shokëve të tij edhe në këtë fazë finale të procesit dhe, aq sa mundemi, për ta ndarë sadopak me ta këtë rrugëtim të gjatë sfidash dhe padrejtësish. Dhe për t’u thënë: nuk jeni dhe nuk do të jeni kurrë vetëm!”, ka shkruar Krasniqi.

Ai ka shtuar se Thaçi mbetet i qetë dhe besimplotë në drejtësi.

“Ato që mbeten gjithmonë të njëjta janë forca, qetësia dhe optimizmi i Presidentit Thaçi dhe i çlirimtarëve tanë. Si në vizitën e parë, edhe sot ai mbetet i palëkundur, besimplotë në drejtësi dhe me bindjen se shumë shpejt, tashmë çështje ditësh, do të jetë sërish në mesin e qytetarëve të Kosovës”, thuhet në postim.

Krasniqi ka përcjellë edhe një mesazh nga Thaçi për qytetarët.

“Ka momente kur qëndresa shndërrohet në frymëzim, e ky është padyshim një prej tyre. Nga Presidenti keni të fala dhe një porosi: Besoni në Kosovë!”, thotë ai.

Të ngjashme