Kurti dhe Haxhiu bëjnë homazhe në 27-vjetorin e Masakrës së Dubravës, kërkojnë drejtësi për krimet e Serbisë

Prishtinë | 22 Maj 2026 | 17:32 | Nga Ekonomia Online

Në 27-vjetorin e Masakrës së Dubravës, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ushtruesen e detyrës së Presidentes dhe kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu, kanë bërë homazhe në nderim të viktimave të masakrës së kryer në Burgun e Dubravës gjatë luftës në Kosovë.

Në homazhe morën pjesë edhe zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla-Schwarz, ministrat Andin Hoti dhe Saranda Bogujevci, si dhe aktivistë e përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas komunikatës, Kurti dhe Haxhiu vlerësuan qëndresën e të burgosurve politikë dhe kërkuan drejtësi për krimet e kryera nga Serbia gjatë periudhës 19–24 maj 1999.

“Kryeministri Albin Kurti dhe Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, lartësuan qëndresën e pamposhtur të të burgosurve politikë dhe kërkuan drejtësi të prerë për këtë krim gjenocidal”, thuhet në komunikatë.

Kurti tha se Masakra e Dubravës mbetet një dëshmi e krimeve masive dhe gjenocidale ndaj shqiptarëve në Kosovë.

“Dubrava mbetet dëshmi për ekzekutimet masive e gjenocidale të shqiptarëve, për torturat dhe keqtrajtimin ndaj të burgosurve shqiptar, por edhe për shpirtin liridashës të të burgosurve politikë, që nuk thyhej e nuk dorëzohej para torturave në burgjet serbe”, u shpreh Kurti.

Ai theksoi se nga rreth 980 të burgosur shqiptarë në Burgun e Dubravës, 116 ishin vrarë dhe 185 të tjerë ishin plagosur, ndërsa profesori Ukshin Hoti ishte zhdukur me dhunë.

Nga ana tjetër, Haxhiu deklaroi se Masakra e Dubravës nuk mund të trajtohet si një krim i zakonshëm lufte, pasi sipas saj ishte një akt i organizuar nga shteti serb.

“Aty krimi nuk ndodhi sepse shteti mungoi. Aty krimi ndodhi sepse shteti ishte i pranishëm në çdo hallkë: në komandë, në rojë, në armë, në mashtrim dhe në përpjekjen për ta fshehur të vërtetën”, potencoi Haxhiu.

Të ngjashme