Trump u thotë negociatorëve amerikanë të mos nxitohen për një marrëveshje me Iranin

Prishtinë | 25 Maj 2026 | 07:21 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se u ka kërkuar negociatorëve amerikanë “të mos nxitojnë drejt një marrëveshjeje” me Iranin, pasi më herët kishte sugjeruar se një pajtim ishte afër.

Marrëveshja që po diskutohet raportohet se përfshin një zgjatje 60-ditore të armëpushimit, rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe një plan për vazhdimin e negociatave lidhur me programin bërthamor të Iranit.

Në një postim në rrjetet sociale, Trump tha se bisedimet po zhvillohen në mënyrë “konstruktive”, por theksoi se “të dyja palët duhet të marrin kohën e nevojshme dhe ta bëjnë siç duhet”.

Të shtunën, Trump kishte deklaruar se një marrëveshje ishte “kryesisht e negociuar”, duke nxitur spekulime se një njoftim zyrtar mund të ishte i afërt, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.

Edhe zyrtarët iranianë dhanë sinjale të ngjashme gjatë fundjavës. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei, u shpreh se të dyja palët janë njëkohësisht “shumë afër dhe shumë larg” arritjes së një marrëveshjeje.

Sipas mediave amerikane, marrëveshja e përfolur nuk paraqet një zgjidhje përfundimtare, por lë për negociata të mëvonshme disa nga çështjet më të ndjeshme, përfshirë lehtësimin e sanksioneve ndaj Iranit, lirimin e fondeve iraniane të ngrira dhe kërkesat e Uashingtonit që Irani të kufizojë ambiciet e tij bërthamore.

Raportohet se kjo marrëveshje ka shkaktuar përçarje edhe brenda republikanëve në ShBA, ku disa prej tyre kanë argumentuar publikisht se qasja ndaj Iranit është tepër e butë.

Të ngjashme