Sot shënohet festa e Kurban Bajramit.Kurban Bajrami njihet ndryshe si “Festa e Flijimit” dhe është njëra prej dy kremteve më të rëndësishme për myslimanët.
Namazi i Kurban-Bajramit është falur në orën 05:40.
Manifestimi qendror për territorin e Kosovës, kushtuar festës së Kurban Bajramit, është mbajtur në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.
Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, në mesazhin e tij të martën ka kërkuar nga partitë politike që të zhvillojnë fushatë me dinjitet dhe maturi, për zgjedhjet e 7 qershorit.
Ndërsa, kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka uruar besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit.
“T’i ndajmë të mirat me miq, fqinjët e nevojtarët, si mirënjohje për bekimet që gëzojmë dhe ushtrim për sakrificën si virtyt i lartë njerëzor. Paçim gjithmonë mirësi, begati e mbarësi”, ka shkruar ai në Facebook.
Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka uruar të gjithë qytetarët e besimit islam për festën e Kurban Bajramit.
Përmes një komunikate për media, LDK tha se kjo festë është simbol i devotshmërisë, sakrificës, mirënjohjes dhe humanizmit.
“Ajo na rikujton vlerat më të larta njerëzore: solidaritetin, dashurinë, kujdesin dhe afërsinë me njëri-tjetrin, veçanërisht ndaj atyre që kanë më shumë nevojë. Në këtë ditë feste dhe çdo ditë tjetër, ju urojmë shëndet, paqe, harmoni dhe begati në familjet tuaja. Qoftë kjo festë, ditë gëzimi, mirëkuptimi dhe lumturie për secilin prej jush. Me fat Kurban Bajrami!”, thuhet në mesazhin e urimit.