Dhjetëra njerëz janë vrarë në një valë intensive sulmesh izraelite në jug dhe lindje të Libanit, pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u zotua të intensifikojë veprimet ushtarake kundër Hezbollahut.
Të paktën 31 persona janë vrarë në sulmet më të fundit, përfshirë disa fëmijë, njoftoi ministria e shëndetësisë e Libanit.
Ushtria izraelite tha se kishte goditur më shumë se 100 objektiva të infrastrukturës dhe luftëtarë të Hezbollahut, në atë që konsiderohet si një nga netët më të rënda të bombardimeve që nga fillimi i armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA-ja në mesin e prillit.
Kjo ndodhi pasi Netanyahu deklaroi këtë javë se kishte dhënë udhëzime për të “shtypur pedalin edhe më fort” në shënjestrimin e Hezbollahut.
Herët të mërkurën, sirenat u dëgjuan në veri të Izraelit pasi një predhë u lëshua nga Libani drejt Izraelit, tha ushtria izraelite në një deklaratë.
Sipas ushtrisë, predha ra në një zonë të hapur dhe nuk u raportuan të lënduar.
Duke folur në një mbledhje të kabinetit të sigurisë të martën, Netanyahu tha se Izraeli po “thellon operacionin tonë në Liban”.
“IDF-ja [Forcat Mbrojtëse të Izraelit] po vepron me forca të mëdha në terren dhe po merr nën kontroll zona strategjike,” tha ai, duke shtuar se ato po “forcojnë zonën e sigurisë” për të mbrojtur komunitetet në veri të Izraelit nga sulmet e Hezbollahut.