Sipas anketës së fundit për kushtet e punës në Evropë, Kosova renditet ndër vendet me përqindjen më të lartë të punonjësve që ndihen të lodhur emocionalisht në vendin e punës.
Përqindjet përfaqësojnë personat që janë përgjigjur “gjithmonë” ose “shumicën e kohës” kur janë pyetur se sa shpesh ndihen të rraskapitur nga puna e tyre.
Rreth 29% e qytetarëve në Kosovë kanë deklaruar se ndihen emocionalisht të rraskapitur “gjithmonë” ose “shumicën e kohës” gjatë punës së tyre, ndërsa 34% kanë raportuar lodhje fizike të vazhdueshme.

Më përqindje të ngjashme të lodhjes emocionale dhe fizike është edhe Mali i Zi. Në Mal të Zi, lodhja emocionale arrin në rreth 26%, por prapë përqindje më e vogël se në Kosovë.
Kur krahasohet me vendet e rajonit, Kosova paraqitet më keq se Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia dhe Kroacia.
Në Shqipëri, niveli i lodhjes emocionale është rreth 17%, dukshëm më i ulët se në Kosovë. Edhe Bosnja dhe Hercegovina ka një përqindje më të ulët, me rreth 13% të punonjësve që raportojnë rraskapitje emocionale.
Serbia dhe Kroacia regjistrojnë rreth 17 %.
Nga ana tjetër, në Qipro shifra shkon deri në 36%, që është më e larta në Evropë sipas raportit, por Kosova vazhdon të mbetet ndër vendet më të prekura në rajon.
Anketa Evropiane për Kushtet e Punës 2024, e publikuar në prill të këtij viti ofron një panoramë të plotë të cilësisë së punës në Evropë, duke analizuar karakteristikat e fuqisë punëtore, vendet e punës, cilësinë e punës dhe cilësinë e jetës në punë.
Anketa është një instrument i rëndësishëm për politikëbërësit, pasi nxjerr në pah rolin e cilësisë së punës në arritjen e një rritjeje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse në Evropë.
Gjetjet e anketës bazohen në 36,644 intervista ballë për ballë, të zhvilluara në 35 vende. Çdo intervistë zgjati rreth 45 minuta, duke ofruar një pasqyrë unike mbi gjendjen e punës në Evropë. /Telegrafi/