Policia spanjolle kundër korrupsionit, bastis selinë e partisë së kryeministrit Sanchez

Prishtinë | 27 Maj 2026 | 13:52 | Nga Ekonomia Online

Policia spanjolle ka kryer kontrolle në selinë e Partisë Socialiste në pushtet si pjesë e një hetimi të vazhdueshëm për korrupsion.

Garda Civile ka njoftuar të mërkurën se bastisja në zyrën në qendër të Madridit është një tjetër goditje për partinë e kryeministrit, Pedro Sánchez, socialistët e të cilit janë goditur nga një sërë skandalesh korrupsioni.

Garda Civile ka deklaruar se policia ka marrë urdhër gjyqësor për të gjetur materiale relevante për një hetim të Gjykatës Kombëtare mbi akuzat për korrupsion kundër ish-anëtarëve të partisë dhe individëve të tjerë.

Sipas policisë spanjolle, kontrolli është i kufizuar në mënyrë strikte në një hetim të udhëhequr nga gjyqtari i Gjykatës Kombëtare, Santiago Pedraz mbi keqbërjen e mundshme të anëtares së partisë Socialiste Leire Díez.

Çështja kundër Díez filloi në vitin 2025 kur regjistrimet audio u shfaqën në median spanjolle të përfshirjes së saj në përpjekjet për të diskredituar një anëtar të njësisë anti-korrupsion të Gardës Civile.

Në një deklaratë të lëshuar nga gjykata të mërkurën thuhet se gjyqtari Pedraz urdhëroi Gardën Civile të “konfiskojë dokumentacion të larmishëm dhe arkiva elektronike në një hetim të një rrjeti të projektuar për të destabilizuar proceset gjyqësore që po ndikonin partinë në pushtet”.

Gjyqtari tha se po heton gjithashtu edhe persona tjerë si të dyshuar për ryshfet, dhënie të rreme të dëshmisë, falsifikim dokumentesh tregtare, abuzim dhe korrupsion. /Klankosova.tv

Të ngjashme