Kryeministri shqiptar, Edi Rama mori pjesë këtë të enjte (29 maj) në aktivitetin festiv të organizuar në Dibër me rastin e 35-vjetorit të Partisë Socialiste, ku mbajti një fjalim të fokusuar te historia e socialistëve, zgjedhjet dhe roli i PS në momentet kyçe të vendit.
Gjatë fjalës së tij, Rama kujtoi takimet e zhvilluara në Dibër para dhe pas zgjedhjeve. Ai tha se rezultati i zgjedhjeve tregoi mbështetjen e madhe që qytetarët i dhanë PS-së.
“Kthehemi sot këtu pasi kemi pasur dy takime ku njëri përpara zgjedhjeve dhe tjetri pas zgjedhjeve dhe më kujtohet para zgjedhjeve që nuk e keni harruar se u bë një takim shumë popullor dhe shumë i përfolur në media. Unë nuk e kisha pritur që faktikisht të gjithë çyrykët do të provokoheshin dhe do të hidheshin përpjetë dhe do të thonin nuk jemi çyrykë, po burra, dhe të gjithë burrat shkuan pas grave dhe do ta nxirrnin nga kutitë e votimit fitoren më të madhe ndonjëherë për PS. Ai ka qenë edhe një moment tjetër i daljes në pah të mençurisë së kësaj zone, që për një sërë arsyesh ndihem shumë i lirë dhe më vjen mirë që kjo lidhje materializohet dhe me dëshminë e ardhjes”, u shpreh Rama, shkruan rtsh.al.
Kryeministri u ndal edhe te investimet infrastrukturore, duke veçuar Rruga e Arbrit, për të cilën tha se ka ndryshuar lidhjen e Dibrës me Tiranën dhe ka lehtësuar lëvizjen e qytetarëve.
Në fjalimin e tij, Rama theksoi se historia e PS-së nisi me shkëputjen nga e shkuara komuniste dhe ndërtimin e një force politike progresiste. Ai deklaroi se socialistët kanë mbajtur gjithmonë një marrëdhënie “të kristaltë” me interesin kombëtar.
“Do të ishte e pa mendueshme përpara se ne t’ja dilnim të ndërtonim rrugën e dibranëve, rrugën e Arbrit që të vije të bëje një takim dhe të ktheheshe për një takim tjetër në Tiranë. Kjo u realizua por nuk është fundi por vazhdimi i një rruge që është rruga e PS në të cilën ne kemi parë dhe kemi dëgjuar shumë por dhe kemi bërë shumë. Historia e PS nuk nis me momentin kur hyra në parti unë me Ulsiun por nis në momentin kur socialistët dhe progresistët bënë një zgjedhje shumë të qartë dhe u shkëputën në mënyrë shumë të arsyeshme nga e shkuara duke i dhënë jetë një partia e cila këto 35 vite ka shënuar disa gjëra shumë të rëndësishme në librin e jetës politike shqiptare”, tha Rama.
Duke folur për periudhën e luftës në Kosovë, Rama përmendi ish-kryeministrin Fatos Nano dhe tha se PS-ja ka mbështetur vazhdimisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe çlirimin e Kosovës, ndërsa akuzoi kundërshtarët politikë të kohës për bashkëpunim ekonomik me regjimin e Slobodan Millosheviç.
Rama shtoi se PS ka luajtur rol të rëndësishëm në historinë politike të Shqipërisë gjatë këtyre 35 viteve dhe se mbetet forca që garanton vazhdimësinë e zhvillimit dhe integrimit të vendit.
“Në radhë të parë PS ka provuar më shumë se një herë që është e vetmja forcë politike e cila një marrëdhënie të kristaltë me interesin kombëtar. Shembulli më kulmor i këtij fakti është i lidhur më atë periudhë kur PS dhe lideri historik Fatos Nano bombardoheshin nga të 4 anët si të lidhur me Beogradin por ishin ata që bombardonin ata që ditën flisnin për Kosovën, thyenin embargon që bota demokratike i kishte Milloshëvicit dhe i shisnin naftë atij për të furnizuar makinerinë fashiste të spartimit etnik. Ndërkohë ishte PS dhe ishin njëra pas tjetër këto qeveri që nuk lanë asgjë pa bërë hapur dhe mbyllur për të mbështetur UCK-në dhe çlirimin e Kosovës. PS në këto 35 vite ka bërë shumë edhe në të shkuarën ndryshe nga ata që u paraqiten si forca e të ardhmes dhe e kthyen Shqipërinë përmbys duke sjellë shkatërrim por PS diti shumë mirë të ndahej nga diktatura në mënyrë të qartë dhe asnjëherë mos të mjegullojë vështrimin mbi luftën nacional çlirimtare dhe mbi historinë e vërtet të çlirimit të Shqipërisë”, theksoi ai.